Opinion

Bota e së djeshmes

Nga Ilir Kalemaj

‘Bota e së djeshmes’ është një libër fantastik i Stefan Cvajgut, novelistit të famshëm vjenez i cili i bëri një radiografi të shkëlqyer jo vetëm Austro-Hungarisë që po shembej, por një rendi të caktuar gjeopolitik dhe lindjes së një tjetri që kishte si karakteristikë kryesore nacionalizmin.

Bota shpesh ka kaluar nëpër rende të tilla të diktuara nga luftëra, marrëveshje paqe apo forcim/krisje aleancash të cilat kanë rikrijuar konfigurime të caktuara. Fakt është që ndryshe nga intuita shpesh e gabuar njerëzore, lufta apo konflikti ka qenë konstantja historike me rreth 93 përqind të historisë njerëzore në këtë gjendje sipas institutit prestigjioz suedez SIPRI dhe paqja përjashtimi.

Disa nga konfliktet më të nxehta dhe të gjata në kontinentin ‘plakë’ kanë çuar në disa prej traktateve të paqes më të rëndësishëm në histori si ‘Paqja e Vestfalisë’ e 1648-ës që i dha fund luftës 30-vjeçare por për më tepër krijoi sistemin modern ndërkombëtar përmes tre parimeve: sovranitetit, barazisë së shteteve dhe mosndërhyrjes.

Mandej qenë traktet e Utrehtit që vendosën shtyllat e së drejtës ndërkombëtare, ndërsa në 1815, pas mposhtjes përfundimtare të Napoleonit, Kongresi i Vjenës vendosi rregullat e ‘Koncertit të Evropës’ dhe siguroi një balancë me Fuqive të Mëdha (Britani e Madhe, Francë, Prusi, Austro-Hungari dhe Perandori Ruse), bazuar pikërisht në parimet e Vestfalisë ku secila zotohej të respektonte sferat e influencës së njëra-tjetrës.

Për të ardhur në shekullin e 20-të ku lufta e parë botërore përfundoi me traktatin apo më saktë traktatet e Versajës të cilat bashkë me formimin e Lidhjes së Kombeve synonin të parandalonin një luftë të re të atyre përmasave por për arsye komplekse që do të kërkonin një shkrim tjetër, dështuan plotësisht dhe lufta e dytë që në fakt ajo vërtetë botërore qoftë përsa i përket përmasës, gjeografisë, humbjeve të jetëve njerëzore dhe përdorimit të teknologjive më të avancuara.

Madje shërbeu si pikënisje e zhvillimit edhe të armëve më të tmerrshme që ndryshuan përfundimisht fatin dhe llojin e luftërave të së ardhmes me bombën atomike dhe në fillim të viteve 50-të me atë të hidrogjenit që u testua fillimisht nga SHBA në 1951 dhe Bashkimi Sovjetik në 1953shin dhe duke zhvilluar kapacitete të tilla nukleare të vendosura strategjikisht në pika të ndryshme të globit nga dy superfuqitë sa çdo tentativë e njërës palë për të shkatërruar tjetrën, do të sillte menjëherë një apokalips botëror nga i cili askush nuk do të mbijetonte.

Kjo paradoksalisht e futi botën në një rend të ri botëror të quajtur bipolar për shkak të dy superfuqive. Bota e viteve 90-të të fundshekullit të kaluar qe qartësisht një-polare me dominim të qartë amerikan ndërsa e sotmja ka karakteristikat e një bote shumëpolare (por jo klasike si ajo e Koncertit të Evropës), ku në varësi të fushave konkurrenca mund të jetë bipolare (SHBA-Kinë në përgjithësi apo SHBA-Rusi të armët bërthamore për shembull), trepolare apo shumëpolare.

Shpesh përmendet fakti që Amerika është Marsi, Evropa Venusi. Kjo shprehje tashmë klishe duket e dalë boje në strategjinë e re amerikane që e sheh Evropën më të mplakur, më të pafuqishme, me probleme që variojnë nga imigrimi i paligjshëm dhe i pakontrollueshëm deri te burokracia e fryrë dhe aspektet rregullatore që frenojnë zhvillimin e saj, apo edhe kostot e sigurisë që megjithë rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga vende kyçe si Gjermania, ende nuk arrijnë të reflektojnë peshën e saj strategjike në skakierën globale.

Gjithsesi ngelet një aleancë e vlefshme sidomos në kuadër të NATO-s që është e vetmja organizatë ndërkombëtare që më tepër se një riafirmim ideologjik merr një konotacion të thellë praktik, më tepër se një bashkim vlerash abstrakte nën ombrellën e një rendi neoliberal merr një rol dhe peshë të veçantë përsa i përket aspekteve të sigurisë që përballët sot me rreziqe të shumëfishta si dhe rikonfirmon rolin udhëheqës të SHBA në atë pjesë të botës që bashkëndan vlera të njëjta.

Karakteri shumëdimensional i kërcënimeve të sigurisë, nga forcimi i boshtit ruso-kinez dhe satelitët e tyre në rajone të ndryshme që shtrihen nga Azia Qendrore në Amerikën Latine të risjellin në kujtesë ndarjet e Luftës së Ftohtë dhe konceptin kinez të tre botëve. Por me një ndryshim terminologjik se ajo që quhej dikur ‘bota e tretë’ sot njihet si Jugu Global dhe më tepër se konotacion gjeografik është një definicion gjeopolitik tashmë i njohur dhe përdorur gjerësisht dekadat e fundit për të përshkuar një grup të larmishëm vendesh që shtrihen nga Azia Juglindore në Afrikë.

Jugun Global në një artikull të bujshëm të ditëve të fundit në prestigjiozen Foreign Affairs, studjuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe njëherazi presidenti i Finlandës Alexander Stubb e rendiste si një nga tre zonat kryesore përcaktuese të rendit të i botëror, krahas Perëndimit Global të udhëhequr nga SHBA dhe Lindjes Globale të udhëhequr nga Kina dhe Rusia të cilat autorë të tjerë i quajnë fuqi revizioniste, pasi çka i bashkon përkundër diferencave jo të vogla por edhe përplasjeve mes tyre është rishikimi i rendit të udhëhequr nga SHBA.

Natyrisht interesant është rritja dhe forcimi i aktorëve rajonalë me peshë të konsiderueshme dhe balancuese si Turqia, Arabia Sauditeetj. Nismat si ‘Dakordësitë e Abrahamit’ janë njëfarë përpjekjeje për ta orientuar psh. Lindjen e Mesme më afër perëndimit.

Qasja transaksionaliste e SHBA-së përkundër multilaterale të shteteve të vogla apo shumëpolare që avokojnë fuqitë revizioniste ndonëse me nuancat e tyre respektive që varen jo pak dhe si ndryshojnë administratat përkatëse, është një qasje që kërkon dhe ridimensionimin e politikave të jashtme dhe sigurisë të vendeve të vogla si Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Diplomacia shumë-vektoriale të cilën e ka ndjekur për më shumë se dy dekada Serbia për shembull ku Vuciqi dhe elita sunduese e Beogradit kanë ditur të flasin rusisht me Federatën Ruse, kinezçe me Kinën, anglisht me Brukselin dhe Uashingtonin apo arabisht me vendet arabe në kuptimin transaksionalist për të rritur përfitimet kanë sjellë jo pak përfitime për këtë vend të vogël ballkanik.

Por kjo qasje po tregon limitet e saj tani ku në disa aspekte duket se po i kthehet kundër për shkak të konfliktit të stërzgjatur Rusi-Ukrainë dhe nevojës për pozicionim. E njëjta gjë vlen edhe për vende të tjera në rajon që kanë ndjekur në masë më të vogël strategji të tilla si Bosnja-Herzegovina, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Ndërsa për Shqipërinë dhe Kosovën situata ka qenë lineare sepse boshti i politikës së jashtme ka qenë i pandryshuar dhe kah orientimit të fortë veri-atlantik dhe i linjëzuar plotësisht me Brukselin.

Natyrisht Republika e Kosovës ballafaqohet me rreziqe më të mëdha në të ardhmen afatshkurtër për shkak të mosantarësimit ende në organizatat ndërkombëtare ku ajo në NATO ngelet primare e ndjekur nga ajo në OKB që ka dhe fuqi simbolike, por edhe kontrollit efektiv të Veriut si dhe çështjet e demarkacionit pa përmendur krizën e panevojshme politike që e ka futur në një qerthull vicioz institucional.

Ndërsa Shqipëria ballafaqohet me sfidat e sigurisë së brendshme nga narkotrafiku dhe korrupsioni i dalë duarsh që ka kulminuar në kapje shteti deri te brishtësia e institucioneve apo mbipushteti i mazhorancës falë edhe mekanizmave të dyshimtë zgjedhorë, ndërsa shfaqin një dobësi sistemike aktorët e shoqërisë civile si influencues dhe shtytës të reformave.

Pavarësisht kësaj, Shqipëria ka një situatë më të favorshme gjeopolitike por natyrisht kjo kërkon politika proaktive dhe jo thjesht reaguese, qëndrime konsensuale dhe jo konfrontuese, dhe zgjuarsi për kapjen e momentit gjeostrategjik tani që rajoni ende ka njëfarë rëndësie sidomos në kuadër të integrimeve evro-atlantike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button