BOTËRORI 2026 – Miliarda dollarë në lojë: Kush janë fituesit e vërtetë të Kupës së Botës?
– Kupa e Botës 2026, turneu më i madh i organizuar ndonjëherë nga FIFA, pritet të sjellë të ardhura rekord prej miliarda dollarësh, falë zgjerimit në 48 kombëtare pjesëmarrëse dhe më shumë se 100 ndeshjeve, sipas BBC.
Megjithatë, sipas ekspertëve të ekonomisë sportive, përfitimet financiare nuk do të shpërndahen në mënyrë të barabartë, pasi ndërsa disa institucione dhe kompani do të regjistrojnë fitime të mëdha, tifozët, hotelet dhe një pjesë e qyteteve organizatore, pritet të përballen me kosto të larta dhe rezultate më modeste nga sa ishte parashikuar.
Përfituesja më e madhe e turneut mbetet FIFA. Pas të ardhurave rekord prej 7,6 miliardë dollarësh nga Kupa e Botës “Katar 2022”, organizata pritet të tejkalojë këtë shifër në edicionin e vitit 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.
Sipas analistëve të “Deutsche Bank Research”, të ardhurat e FIFA-s gjatë ciklit katërvjeçar mund t’i afrohen 13 miliardë dollarëve.
Të ardhurat e FIFA-s, sigurohen nga shitja e të drejtave televizive, marrëveshjet me sponsorët, licensat tregtare, shitja e biletave, paketat VIP për ndjekjen e ndeshjeve, si edhe nga platforma zyrtare për rishitjen e biletave, ku organizata përfiton komision nga çdo transaksion.
Edhe kompanitë televizive dhe sponsorët pritet të përfitojnë ndjeshëm. Megjithëse kanë investuar shuma të mëdha, për të siguruar të drejtat e transmetimit të turneut, audienca e lartë globale u jep mundësi të rikuperojnë investimin përmes shitjes së reklamave.
Një burim i ri fitimi, janë bërë edhe ndërprerjet e shkurtra gjatë ndeshjeve për hidratimin e futbollistëve.
Këto pushime janë shfrytëzuar nga transmetuesit për reklama shtesë, duke krijuar hapësira të reja komerciale.
Në SHBA, një reklamë televizive 30-sekondëshe gjatë Kupës së Botës, mund të kushtojë nga 200 mijë deri në 300 mijë dollarë, ndërsa gjatë ndeshjeve më të rëndësishme çmimi ka arritur deri në 750 mijë dollarë.
Fitues të mëdhenj konsiderohen edhe kompanitë e basteve sportive. Sipas parashikimeve, gjatë Kupës së Botës 2026, do të vendosen baste me vlerë rreth 50 miliardë dollarë, duke e bërë këtë turne ngjarjen sportive, me numrin më të madh të basteve në histori.
Rritja lidhet kryesisht, me numrin më të madh të ndeshjeve dhe zgjerimin e tregut të basteve, veçanërisht në SHBA.
Ndër përfituesit renditet edhe ish-futbollisti anglez David Beckham. Edhe pse është tërhequr prej më shumë se një dekade nga futbolli, ai vazhdon të jetë një nga figurat më të kërkuara për fushata publicitare dhe partneritete tregtare.
Beckham është gjithashtu bashkëpronar i klubit amerikan “Inter Miami”, i cili vlerësohet si një nga klubet me vlerën më të lartë në Ligën Kryesore e Futbollit.
Nga ana tjetër, analiza tregon se tifozët janë ndër humbësit më të mëdhenj financiarë të turneut.
Ata janë përballur me çmime shumë të larta të biletave, të udhëtimeve, akomodimit dhe transportit.
Për finalen e Kupës së Botës, disa bileta të rishitura në treg, kanë arritur vlerën e mbi 2 milionë dollarëve, ndërsa çmimi zyrtar i disa vendeve ishte afro 33 mijë dollarë.
Ekspertët shprehen se edhe qytetet organizatore nuk do të kenë domosdoshmërisht, përfitime afatgjata.
Edhe pse turneu sjell rritje të përkohshme të numrit të turistëve dhe krijon vende pune në sektorët e hotelerisë dhe shërbimeve, ndikimi ekonomik afatgjatë mbetet i kufizuar.
Sipas tyre, shumica e vendeve të reja të punës janë sezonale dhe me paga relativisht të ulëta.
Edhe industria e hotelerisë nuk ka përmbushur pritshmëritë. Shoqatat e hoteleve në disa qytete pritëse, kanë raportuar se rezervimet kanë qenë më të ulëta se sa ishte parashikuar.
Përfaqësues të sektorit kanë akuzuar FIFA-n se rezervoi paraprakisht, një numër të madh dhomash hoteli, duke krijuar pritshmëri për një kërkesë më të lartë nga ajo që u realizua.
Në përfundim, ekspertët vlerësojnë se zgjerimi i Kupës së Botës, ka rritur ndjeshëm potencialin ekonomik të turneut, por përfitimet kryesore do të përqendrohen te FIFA, sponsorët, transmetuesit televizivë dhe kompanitë e basteve sportive.
Ndërkohë, tifozët, industria hoteliere dhe një pjesë e qyteteve organizatore, pritet të mbajnë barrën më të madhe të kostove, pa arritur përfitimet ekonomike që ishin parashikuar. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.