LETONI – Kryeministri Kulbergs merr pjesë në garën automobilistike dhe fiton kategorinë e makinave historike
RIGA, 2 nëntor /ATSH-DPA/ – Kryeministri i Letonisë, Andris Kulbergs, mori pjesë të dielën në garën e fundit të sezonit automobilistik 2026 në vendin e tij, duke drejtuar një makinë “Mitsubishi Lancer Evo VI”.
Së bashku me bashkëdrejtuesin Andis Veinbergs, ai garoi për dy ditë në aktivitetin “Rallysprint Latvija” dhe fitoi në kategorinë e makinave historike, pas përfundimit të shtatë etapave të garës.
“Garat me makina janë pjesë e imja dhe nuk doja të hiqja dorë nga ky pasion gjatë kohës që jam kryeministër, edhe pse kjo po bëhet gjithnjë e më e vështirë”, tha Kulbergs.
Ai shtoi se mund të jetë i pari kryeministër në botë që merr pjesë në një garë të tillë.
Kulbergs shpjegoi se pjesëmarrja e tij ishte bërë e mundur pas një marrëveshjeje me autoritetet e sigurisë.
Sipas tij, ai kishte rënë dakord të sillej me përgjegjësi dhe të drejtonte makinën në mënyrë të sigurt.
Kryeministri, i cili është në detyrë që prej muajit maj, njihet për pasionin ndaj makinave.
Ai zotëron 11 automjete dhe ka marrë pjesë edhe më parë në gara, së fundmi dy vjet më parë.
Kulbergs thotë se politika dhe garat automobilistike kanë shumë gjëra të përbashkëta.
Në të dyja fushat, sipas tij, suksesi varet nga puna në grup, besimi, mirëkuptimi dhe aftësia për të gjetur marrëveshje.
Ndërkohë, jashtë garave automobilistike, kryeministri po zhvillon bisedime për formimin e qeverisë së re.
Partia e tij e qendrës së djathtë, “Lista e Bashkuar”, shënoi një fitore historike në zgjedhjet parlamentare të 3 tetorit.
Sipas Kulbergs, presidenti Edgars Rinkēvičs pritet t’i japë zyrtarisht mandatin për formimin e qeverisë së re të mërkurën, një ditë pasi parlamenti i ri të mblidhet për herë të parë. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.