BOTËRORI 2026 – Trump kritikon Tuchel për ndeshjen me Argjentinën
MIAMI, 18 korrik /ATSH – DPA/ – Presidenti amerikan Donald Trump iu bashkua kritikave ndaj trajnerit të Anglisë, Thomas Tuchel, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si ai e përdori kapitenin Harry Kane në humbjen 2-1 ndaj Argjentinës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.
Pas eliminimit dramatik, Tuchel është përballur me kritika nga tifozët dhe analistët për qasjen mbrojtëse dhe zëvendësimet e bëra gjatë ndeshjes.
Tashmë Anglia do të luajë vetëm për vendin e tretë ndaj Francës, në vend që të jetë në finalen kundër Spanjës.
Trump, i cili tha se ka luajtur golf me Harry Kane rreth një vit e gjysmë më parë në Florida, u shpreh i habitur nga roli që iu dha sulmuesit anglez.
“Anglia ka një lojtar të madh, Harry Kane, me të cilin kam luajtur golf. Mendoj se bënë gabim kur e kthyen në një lojtar mbrojtës. Çfarë di unë për futbollin? Morën avantazhin dhe më pas e vendosën lojtarin e tyre më të mirë në mbrojtje”, tha presidenti Trump gjatë një konference për shtyp, pranë presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.
Ai e cilësoi vendimin e Tuchel si “paksa të pazakontë”, duke e përshkruar Kane si “një djalë të shkëlqyer”.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes me Francën, Tuchel reagoi me ironi kur u pyet për komentet e presidentit amerikan.
“Po e përdorni Donald Trump si dëshmitar në këtë rast apo…?”, u përgjigj trajneri gjerman.
Më pas ai mbrojti vendimin për rolin e Kane, duke theksuar se kur skuadra mbrohet në bllok të ulët, të gjithë lojtarët, përfshirë sulmuesin, duhet të kontribuojnë në fazën mbrojtëse.
“Kur mbrohesh në një bllok të ulët, të gjithë mbrojnë. Kjo është fryma e skuadrës, uniteti dhe mentaliteti. Mbrojmë si 10, si 11 lojtarë. Problemi ishte se në 30 minutat e fundit u bëmë shumë pasivë, nuk e mbajtëm dot topin dhe humbëm duelet. Kjo është ajo që duhet të përmirësojmë”, deklaroi Tuchel./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.