Bozdo: Bllokimi politik i mohoi kryeqytetit bulevardin e ri dhe lumin e Tiranës
Bashkia e Tiranes ka përkujtuar sot 95-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet. Në ambientet e Polit Artistik u hap një ekspozitë fotografike “Ecja e Tiranës në vite” si dhe u përuruan 3 botime kushtuar Tiranës.
Përkujtimet për 95 vjetorin e Tiranës kryeqytet do të vijojnë ditën e shtunë me një koncert simfonik ku të ardhurat do të shkojnë për banorët në zonat e përmbytura.
Nënkryetari i Bashkisë Enno Bozdo ka shprehur keqardhjen që për shkak të bllokimit nga qeveria, sot Tirana nuk ka një vepër të madhe infrastrukturore, bulevardin e ri.
“Bashkia e Tiranës këtë vit do të kishte dashur t’i dhuronte Tiranës edhe dy pjesë të infrastrukturës shumë të rëndësishme, bulevardin verior të Tiranës që në fakt është vepra më e madhe civile për Tiranën në 80 vitet e fundit dhe lumin e Tiranës i cili është parashikuar të kthehet në një oaz të gjelbër për të gjithë qytetarët e Tiranës, për sot e në dekadat që vijnë. Për fat të keq, politika e vjetër dhe e urrejtjes nuk na e mundësoi por vetëm përkohësisht (e theksoj këtë fjalë) këtë dhuratë.
Ditën e shtunë, Bashkia e Tiranës ka programuar një koncert të madh simfonik operistik. Janë të ftuar të gjithë qytetarët e Tiranës të marrin pjesë, jo vetëm për të shijuar këtë eveniment por edhe për të kontribuar në shenjë solidariteti me të gjithë banorët e përmbytur në zonat jugore të vendit, pasi të gjithë të ardhurat nga koncerti, biletat dhe pjesa tjetër, Bashkia e Tiranës do t’ia japë zonave të përmbytura, komunave e fshatrave të përmbytura, në ndihmë të këtyre banorëve.”