Brdariç paralajmëron Vllazninë: Fitojmë ne në Kosovë, duam përkrahjen e të gjithëve!
Pas fitores 2-1 me përmbysje në stadiumin “Loro Boriçi”, Vllaznia luan nesër ndeshjen e kthimit me Malishevën, e vlefshme për turin e parë kualifikues të Conference League. Trajneri i Malishevës, Tomas Brdariç, ka shumë besim se do ta mposhtë ish-skuadrën e tij dhe këtë e ka shprehur qartë.
“Jemi të bindur që mund të fitojmë këtu në Kosovë. Përgatitjet ishin të duhurat dhe kemi gjithçka çka na duhet. Jemi përgatitur mirë në stërvitje. Na duhet të përmirësohemi si ekip, kjo është detyra jonë. Nuk duhet të dëshpërohemi nga humbja e ndeshjes së parë, por të mësojmë shpejt.
Kemi bërë një analizë dhe kemi punuar në disa aspekte. Është proces dhe e shohim si një mundësi për t’u rritur. Vllaznia është një skuadër me shumë traditë, e kemi marrë shumë seriozisht. E respektojmë, por edhe ne kemi një ekip shumë të mirë. Faleminderit FFK-së që po na ndihmon të luajmë në Hajvali. Duam përkrahjen e të gjithëve këtu. Jemi nga Kosova dhe duhet ta përkrahim njëri-tjetrin”, – ka thënë trajneri i Malishevës, sipas shtypit kosovar.
Ndeshja Malisheva-Vllaznia do të luhet ditën e mërkurë, në orën 16:30. Shkodranëve u mjafton edhe barazimi të kalojnë në turin e dytë kualifikues të Conference League.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.