Politika

Bregdeti, Rama: Do të pastrojmë “xhunglën” e titujve pronësorë

Plani zhvillimor i Bregdetit të Jonit nis me pastrimin e asaj që kryeministri Edi Rama e quajti “xhungël” me 11 mijë hektarë tituj të rremë pronësie.

“Janë 11 mijë hektarë tituj të rremë pronësie të zhvendosur nga pronarët legjitime tek pronarë të supozuar, që do t’i rikthehen qoftë shtetit qoftë njerëzve legjitimë, ashtu sikundër do t’u rikthejmë të gjithëve një territor të zaptuar nga çibanët”, deklaroi nga fshati Vuno, kryeministri Rama.

Kryeministri u ndal në këtë fshat për të prezantuar projektin e Qeverisë që synon rritjen e turizmit dhe zhvillimit në zonën e bregdetit.

“Po përpiqemi përditë që jo vetëm të shpëtojmë atë që kemi trashëguar, por edhe ta kthejmë në element zhvillimi ekonomik dhe social”, u shpreh ai.

Projekti do të nisë nga kisha e Vunoit, një monument i rëndësisë së veçantë për vlerat historike dhe kulturore që mbart. Nga këtu, Rama tha se qeveria nuk do të ndalet vetëm këtu, por do të vazhdojë në gjithë fshatrat e bregdetit për të ndryshuar imazhin e tyre, sipas kryeministrit, të lënë në harresë në 25 vjet.

“Synojmë që t’i japim gjithë kësaj zone turistike një forcë të re zhvilluese dhe të kthejmë këto mjedise në motor zhvillimi ekonomik”, u shpreh ai.

Një ditë më parë, gjatë prezantimit të projektit për Lumin e Vlorës, Rama foli edhe për “Lungomaren”.

“Po ecën me ritme më të mira, por jo aq sa duhet të ecë. Gjithësesi shpresoj që kompania të arrijë objektivin që ne i kem i vënë për të pasur një situatë krejt tjetër në sezon”, u shpreh Rama.

Për atë që kryeministri e quajti “një paketë ambicioze investimesh në Vlorë” parashikohet edhe faza e tretë rehabilituese e portit, me qëllim ankorimin e anijeve turistike dhe tregtare të tonazhit të rëndë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button