Breshëri shkatërron të mbjellat në Belsh dhe në Fushën e Korçës
Qindra fermerë të komunave Klos-Molls, Grekan dhe rrethi i Belshit kanë pësuar dëmtime të mëdha, si pasojë e reshjeve të dendura të breshërit që pushtuan këtë zonë pasditen e së martës.
Mësohet se për reth 30 minuta, reshjet e shiut të shoqëruara me breshër, kanë shkaktuar dëme në pemëtari, vreshtari dhe ullishta, si dhe kanë shkatërruar serat së bashku me prodhimet e stinës.
Kokrrat e breshërit ka qenë të përmasave të mëdha të tilla, sa kanë dëmtuar edhe xhamat e disa makinave.
“Është dëmtuar plastmasi te frutat dhe domatet. Ka qenë kokrra sa një grusht, 350 gramë peshonte. Ka bërë dëm të jashtëzakonshëm”, thonë banorët e zonës.
Drejtoria e Bujqësisë dhe autoritetet vendore kanë ngritur dy grupe pune dhe po verifikojnë dëmet në terren.
Stuhia e breshërit ka goditur shumë rëndë edhe të mbjellat në Fushën e Korçës. Bimët janë këputur ose rrëzuar përtokë, së bashku me pemët frutore, që janë dëmtuar rëndë në disa zona të Qarkut të Korçës.
Pas rrebeshit të fortë, fermerët nisën të largojnë nga rrugët dhe parcelat e tyre sasinë e madhe të akullit që shkon deri në disa centimetra. Dëmtimet në bujqësi janë shumë të mëdha dhe kjo do të reflektohet në reduktim të prodhimit në javët në vazhdim.