Britania e Madhe regjistron rritjen më të ngadaltë të popullsisë që nga viti 1998
LONDËR, 1 tetor /ATSH-DPA/ – Rritja e popullsisë së Britanisë së Madhe, është ngadalësuar në nivelin më të ulët që nga viti 1998, nëse përjashtohet periudha e pandemisë COVID-19, tregojnë të dhënat e reja.
Ngadalësimi i ndjeshëm lidhet kryesisht me rënien e migrimit neto, i cili ka rënë shpejt pasi arriti nivele rekord në vitin 2023.
Në Britani të Madhe, vazhdojnë të regjistrohen më shumë lindje sesa vdekje, por diferenca mes tyre është ngushtuar ndjeshëm.
Katër pjesët përbërëse të Britanisë së Madhe kanë pasur zhvillime të ndryshme.
Uellsi ka regjistruar rënien e parë të popullsisë në një dekadë, ndërsa Skocia dhe Irlanda e Veriut pothuajse nuk kanë pasur rritje. Vetëm Anglia ka shënuar një rritje të vogël.
Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Kombëtare e Statistikave (ONS), popullsia totale e Britanisë së Madhe ishte rreth 69,5 milionë banorë në mesin e vitit 2025.
Kjo përfaqëson një rritje prej 227,665 banorësh krahasuar me 12 muajt e mëparshëm, ose vetëm 0,33%.
Kjo është norma më e ulët vjetore e rritjes së popullsisë që nga viti 1998, nëse përjashtohet viti 2020, kur të dhënat u ndikuan nga pandemia.
Në vitet e mëparshme rritja kishte qenë shumë më e madhe: 1,05% në vitin 2022, 1,34% në 2023 dhe 0,97% në 2024.
Rënia e migrimit
Rritja e madhe e popullsisë në ato vite, u ndikua kryesisht nga rritja e migrimit ndërkombëtar neto.
Migrimi neto është diferenca mes numrit të njerëzve që vijnë për të jetuar në Britani të Madhe, për një periudhë të gjatë dhe numrit të njerëzve që largohen nga BM-ja për të jetuar jashtë saj.
Në 12 muajt deri në mesin e vitit 2025, migrimi neto vlerësohet në 222,900 persona, shumë më pak se 651,700 në 12 muajt paraardhës.
Më pak lindje
Në 12 muajt deri në mesin e vitit 2025 u regjistruan rreth 652,400 lindje, numri më i ulët në më shumë se 40 vjet.
Në të njëjtën periudhë pati rreth 647,500 vdekje.
Kjo do të thotë se, vetëm nga diferenca mes lindjeve dhe vdekjeve, popullsia u rrit me rreth 4 900 persona.
Ky numër është shumë më i ulët se një vit më parë, kur diferenca mes lindjeve dhe vdekjeve ishte 16 200 persona.
Megjithatë, situata është përmirësuar krahasuar me 12 muajt deri në mesin e vitit 2023, kur vdekjet ishin më të shumta se lindjet.
Në atë periudhë, ndryshimi natyror i popullsisë ishte minus 16 300 persona.
Çfarë pritet në vitet e ardhshme?
Sipas projeksioneve të publikuara më herët këtë vit nga ONS, nga viti 2026 mund të ketë çdo vit më shumë vdekje sesa lindje në BM.
Projeksionet tregojnë gjithashtu se rritja e popullsisë mund të vazhdojë të ngadalësohet dhe më pas të ndalojë, ndërsa popullsia totale mund të nisë të bjerë në mesin e viteve 2050.
Por ONS thekson se këto janë projeksione dhe jo parashikime.
Ato bazohen në tendencat aktuale dhe të kaluara, veçanërisht në rënien e migrimit neto dhe në normat më të ulëta të lindshmërisë. Nuk marrin parasysh ndryshimet që mund të ndodhin në të ardhmen.
Pse po bie migrimi neto?
Një nga arsyet është rënia e numrit të njerëzve nga jashtë Bashkimit Evropian që vijnë në Britani të Madhe për arsye pune.
Kjo lidhet me ndryshimet në politikat e emigracionit të vendosura nga qeveria e mëparshme konservatore dhe të vazhduara nga qeveria aktuale laburiste.
Këto ndryshime kanë shtrënguar rregullat për personat që duan të vijnë në Britani të Madhe për të punuar.
Gjithashtu, kanë ardhur më pak persona në BM, përmes programeve zyrtare të zhvendosjes humanitare, ndërsa është rritur numri i njerëzve që largohen nga vendi.
Ndryshimet mes Anglisë, Skocisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut
Në vitin deri në qershor 2025:
- Anglia: popullsia u rrit me rreth 0,39%.
- Skocia: rritja ishte vetëm 0,04%.
- Irlanda e Veriut: rritja ishte vetëm 0,03%.
- Uellsi: popullsia ra me 0,09%, rënia e parë vjetore që nga viti 2015.
Në Uells dhe Skoci, numri i vdekjeve ishte më i madh se numri i lindjeve.
Sipas ONS, kjo lidhet me faktin se popullsia e këtyre dy vendeve, është mesatarisht më e moshuar se ajo e Anglisë dhe Irlandës së Veriut.
Për këtë arsye, ka një normë pak më të lartë vdekjesh dhe më pak lindjesh.
ONS shtoi se edhe numri mesatar i fëmijëve që lindin në Uells dhe Skoci, është më i ulët se në pjesët e tjera të BM-së.
Në të katër pjesët e Britanisë së Madhe, migrimi ndërkombëtar neto ka kontribuar në rritjen e popullsisë.
Por në Uells, kjo rritje nuk ka qenë e mjaftueshme për të kompensuar faktin se, vdekjet kanë qenë më të shumta se lindjet, ndaj popullsia totale e Uellsit ka rënë. /


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.