BRUKSEL – BE drejt heqjes së sanksioneve ndaj oligarkëve rusë Usmanov dhe Fridman
BRUKSEL, 21 shtator /ATSH-DPA/ – Bashkimi Evropian pritet të heqë sanksionet ndaj miliarderëve rusë Alisher Usmanov dhe Mikhail Fridman, bëjnë të ditur burime diplomatike të BE-së për agjencinë gjermane të lajmeve, DPA.
Masat ndaj dy biznesmenëve rusë u vendosën pak ditë pas nisjes së pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.
Në dokumentet zyrtare të BE-së, Usmanov është përshkruar si një “oligark pro Kremlinit” me lidhje veçanërisht të afërta me presidentin rus Vladimir Putin.
Ndërsa Fridman është cilësuar si një financues i rëndësishëm rus dhe si person që ka mundësuar mbështetjen financiare për rrethin e brendshëm të Putinit.
Sipas DPA, shtetet anëtare të BE-së pritet të heqin ndaj dy miliarderëve ndalimin e udhëtimit dhe ngrirjen e aseteve.
Vendimi lidhet me nevojën që sanksionet e BE-së ndaj individëve dhe kompanive të lidhura me luftën e Rusisë në Ukrainë të rinovohen periodikisht me mbështetjen unanime të të gjitha 27 shteteve anëtare.
Burimet e cituara nga DPA bëjnë të ditur se Franca dhe Sllovakia kanë mbështetur lehtësimin e sanksioneve ndaj Usmanov, ndërsa Luksemburgu ka kërkuar heqjen e masave ndaj Fridman.
Megjithatë, heqja e sanksioneve ndaj dy miliarderëve nuk nënkupton përfundimin e regjimit më të gjerë të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.
Sipas raportimit, masat ndaj rreth 3 000 individëve, kompanive dhe entiteteve të tjera do të vazhdojnë të jenë pjesë e paketës së sanksioneve që duhet të rinovohet./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.