BRUKSEL – BE miraton 10 milionë euro për forcimin e kapaciteteve mjekësore ushtarake në BP
– Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar një paketë prej 10 milionë eurosh, për forcimin e kapaciteteve operacionale dhe gatishmërisë së Forcës Mjekësore të Ballkanit (BMTF), një strukturë rajonale që bashkon kapacitete mjekësore ushtarake të vendeve të Ballkanit Perëndimor, sipas EEAS.
Financimi jepet përmes Mekanizmit Evropian të Paqes (EPF) dhe synon të rrisë aftësinë e BMTF-së, për të ofruar mbështetje mjekësore në operacionet ndërkombëtare, si dhe për të ndihmuar në mbrojtjen e popullsisë civile, në rast të fatkeqësive natyrore ose emergjencave të shkaktuara nga njeriu.
Me fondet e reja do të financohen pajisje për spitale fushore, automjete mjekësore ushtarake dhe sisteme komunikimi dhe informacioni.
Mbështetja përfshin gjithashtu furnizime dhe shërbime të lidhura me këto pajisje, si dhe trajnime teknike dhe mirëmbajtjeje, kur është e nevojshme.
BMTF-ja përbëhet nga kapacitete të forcave të armatosura të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Këto pesë vende janë përfituese të drejtpërdrejta të masës së re të ndihmës.
Forca mjekësore zhvillon tashmë stërvitje të përbashkëta ushtarake, me synim trajnimin e personelit, rritjen e gatishmërisë operacionale dhe përmirësimin e aftësisë për të vepruar së bashku.
Vendimi i ri e çon në 16 milionë euro mbështetjen e përgjithshme të BE-së për BMTF-në, përmes Mekanizmit Evropian të Paqes.
Një paketë e mëparshme prej 6 milionë eurosh u miratua në qershor 2022, për forcimin e kapaciteteve mjekësore ushtarake të pesë vendeve.
Vendimi i Këshillit të BE-së u miratua më 1 tetor 2026 dhe u publikua në Gazetën Zyrtare të BE-së më 2 tetor 2026.
Masa ka një kohëzgjatje prej 42 muajsh dhe financimi i referencës është pikërisht 10 milionë euro. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.