BRUKSEL – BE vendos tarifë prej 2,0 eurosh për importet online
BRUKSEL, 25 shtator /ATSH-DPA/ – Bashkimi Evropian do të vendosë një tarifë të re prej 2,0 eurosh (2,3 dollarë) për trajtimin e produkteve të porositura në internet dhe të importuara nga vende jashtë BE-së.
Masa, e cila pritet të hyjë në fuqi më 1 nëntor, është pjesë e një vendimi të Komisionit Evropian për të përballuar rritjen e importeve të vogla, veçanërisht nga Kina.
Tarifa do të zbatohet për miliona produkte të porositura nga konsumatorët evropianë në platforma të tregtisë elektronike.
Sipas rregullave të reja, përgjegjësia për pagesën do t’u takojë platformave të shitjeve online dhe jo drejtpërdrejt konsumatorëve.
Mbledhja e tarifës do të kryhet nga autoritetet kombëtare.
Ndër platformat që pritet të preken nga masa janë gjigantët e tregtisë elektronike “Shein”, “Temu” dhe “AliExpress”.
BE-ja synon të përballojë fluksin e madh të pakove me çmime të ulëta, të cilat kanë rritur ngarkesën mbi sistemet doganore dhe procedurat e kontrollit të mallrave që hyjnë në tregun evropian.
Sipas të dhënave të shteteve anëtare të BE-së, autoritetet doganore përpunuan rreth 6 miliardë pako nga shitësit online gjatë vitit 2025.
Rreth 90 për qind e këtyre dërgesave hynë në bllok nga Kina.
Tarifa e re synon të mbulojë kostot që lidhen me kontrollin, inspektimin dhe trajtimin e numrit në rritje të dërgesave të vogla.
Vendosja e tarifës është pjesë e një reforme më të gjerë të rregullave doganore të Bashkimit Evropian.
Reforma synon mbledhjen më efikase të detyrimeve doganore dhe forcimin e kontrolleve ndaj produkteve që nuk përmbushin standardet evropiane ose që konsiderohen të rrezikshme dhe të pasigurta për konsumatorët.
Reformat parashikojnë gjithashtu krijimin e një autoriteti të ri doganor të BE-së, i cili pritet të nisë funksionimin në Lilë, Francë vitin e ardhshëm.
Institucionet evropiane synojnë që përmes këtyre ndryshimeve të përmirësojnë mbikëqyrjen e importeve dhe të përshtatin sistemin doganor me rritjen e shpejtë të tregtisë elektronike. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.