BRUKSEL – Irlanda propozon uljen me 159 miliardë euro të buxhetit afatgjatë të BE-së
BRUKSEL, 10 tetor /ATSH-DPA/- Irlanda ka propozuar uljen me rreth 159 miliardë euro të buxhetit të ardhshëm shtatëvjeçar të Bashkimit Evropian, në përpjekje për të zhbllokuar negociatat mes vendeve anëtare, për mënyrën se si do të shpenzohen paratë e BE-së në vitet e ardhshme.
Propozimi u paraqit sot në Bruksel nga Irlanda, e cila mban presidencën e radhës të Këshillit të BE-së.
Sipas tij, buxheti për periudhën 2028–2034 do të ulej nga afro 1.985 miliardë euro në 1.826 miliardë euro.
Të dyja shifrat përfshijnë edhe rritjen e parashikuar të çmimeve gjatë këtyre shtatë viteve.
Ulja e buxhetit do të prekë veçanërisht fushat ku Komisioni Evropian kishte planifikuar të rriste shpenzimet, si konkurrueshmëria ekonomike, kërkimi shkencor, mbrojtja, si dhe politika e jashtme dhe ndihma për zhvillimin e vendeve të tjera.
Ndërkohë, propozimi parashikon të mbrojë kryesisht, fondet për subvencionet e bujqësisë dhe fondet e kohezionit.
Këto të fundit janë para që BE-ja u jep rajoneve më pak të zhvilluara, me synimin për të përmirësuar ekonominë dhe kushtet e jetesës së banorëve.
Vendet anëtare synojnë të arrijnë një marrëveshje deri në fund të këtij viti, por mbetet e paqartë nëse propozimi i ri irlandez, do të ndihmojë në kapërcimin e mosmarrëveshjeve.
Gjermania dhe vende të tjera që kontribuojnë më shumë në buxhetin e BE-së sesa marrin prej tij, si Holanda, Suedia dhe Austria, kanë kërkuar shkurtime prej disa qindra miliardë eurosh nga propozimi fillestar i Komisionit Evropian.
Një diplomat i BE-së e cilësoi propozimin irlandez si zhgënjyes, duke thënë se ai nuk ofron një bazë të përshtatshme për arritjen e një marrëveshjeje.
Sipas tij, rritja e madhe e parashikuar e shpenzimeve është e papërballueshme.
Diplomati shtoi se, duke u përqendruar te objektiva politike të shekullit XX, propozimi nuk e përgatit Bashkimin Evropian për sfidat e shekullit XXI.
Buxheti i Bashkimit Evropian financohet kryesisht nga kontributet e vendeve anëtare, të cilat llogariten mbi bazën e të ardhurave të tyre kombëtare bruto.
Ky tregues përfshin të ardhurat e përgjithshme të krijuara nga ekonomia e një vendi, duke marrë parasysh edhe të ardhurat neto nga jashtë.
Gjermania, si ekonomia më e madhe e BE-së, jep kontributin më të madh financiar në buxhetin e përbashkët të bllokut. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.