«Yesterday the Eye Didn’t Sleep» fiton çmimin për filmin më të mirë në Festivalin KineNova në Shkup
Debutimi artistik i regjisorit palestinez Rakan Mayasi u shpall filmi më i mirë i edicionit të 11-të të festivalit në Shkup; çmimi për regjinë më të mirë shkoi për Miroslav Terzić, ndërsa filmi i shkurtër serb «Tarik» triumfoi në garën e filmave të shkurtër.
Filmi «Yesterday the Eye Didn’t Sleep», debutimi artistik i regjisorit palestinez Rakan Mayasi, fitoi çmimin për filmin më të mirë artistik në edicionin e 11-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit KineNova, që u mbajt nga 14 deri më 17 tetor në Shkup, siç njofton Film New Europe. Filmi është një bashkëprodhim i Belgjikës, Libanit, Palestinës, Katarit dhe Arabisë Saudite.
Çmimi për regjinë më të mirë i shkoi regjisorit Miroslav Terzić për filmin «3 Weeks After» (3 nedelje posle), një bashkëprodhim i Serbisë, Luksemburgut, Italisë, Bullgarisë dhe Kroacisë. Skenari më i mirë u shpall ai i Hristo Simeonov dhe Petar Krumov për filmin bullgaro-francez «My Father’s Shoes», me regji të vetë Simeonov, ndërsa përmendja e veçantë e jurisë shkoi për filmin «In the Shadow» të Salem Salavati, bashkëprodhim i Iranit dhe Suedisë.
Juria ndërkombëtare e festivalit kryesohej nga regjisori turk Emin Alper, me anëtarë Aleksandra Maksimović dhe Goce Cvetanovski. Në garën e filmave të shkurtër, çmimi për filmin më të mirë u nda mes filmit serb «Tarik» të Adem Tutić, i prodhuar nga Fakulteti i Arteve Dramatike në Beograd, dhe filmit francez «As the Crow Flies» të Clara Lacombe.
Në edicionin e sivjetshëm u shfaqën gjithsej 39 filma në tri lokacione të Shkupit, ndërsa programi përfshiu edhe punëtori me laureatin e festivalit Emin Alper dhe profesionistë të tjerë të filmit. Festivali u mbyll me shfaqjen e bashkëprodhimit slloveno-maqedonas «Fantasy», me regji të Kukla Kešerović, në prani të regjisores.
Festivali KineNova organizohet nga Shoqata për Promovimin dhe Zhvillimin e Artit të Filmit Artcinema, me mbështetjen e Agjencisë së Filmit të Maqedonisë së Veriut, dhe i kushtohet kryesisht regjisorëve të rinj e debutues nga rajoni dhe bota.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.