Bruksel, Ministeriali i NATO-s, Kodheli: Gati trupat tona ushtarake për Letoni
Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli po merr pjesë në Takimin dy ditor të ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO, që po zhvillohet në Bruksel, në datat 26-27 tetor 2016. Në ditën e parë të takimit, ministrat e Mbrojtjes të NATO trajtuan dhe morën vendime mbi forcimin e mbrojtjes kolektive të NATO. Në veçanti, ministrat diskutuan mbi frenimin e rreziqeve dhe mbrojtjen (Deterrence and Defense). Në këtë pikë, vendet aleate shqyrtuan implementimin e vendimeve të Samitit të Varshavës, në veçanti mbi vendosjen e katër grup-batalioneve në vendet baltike dhe në Poloni. Për këtë qëllim, aleatët deklaruan kontributet e tyre për pjesëmarrje me forca ushtarake.
Në ndërhyrjen e saj mbi këto çështje, znj. Kodheli nënvizoi se Shqipëria mbetet e angazhuar të materializojë vendimet e marra në Samitin e Varshavës, për një mbrojtje moderne dhe efikase të NATO. Në këtë drejtim, ministrja deklaroi se Shqipëria ka identifikuar kapacitete në dispozicion të saj dhe pritet t’i bashkëngjitet me personel ushtarak grup-batalionit të udhëhequr nga Kanadaja, në Letoni. “Vendi ynë do të vijojë bashkëpunimin me vendet pjesëmarrëse në këtë forcë (në veçanti me Kanadanë dhe Letoninë si vende udhëheqëse dhe pritëse respektivisht), për të specifikuar detajet dhe elementët kryesorë të kontributit tonë. Shqipëria do të vijojë të luajë një rol aktiv në Aleancë duke mbështetur kontributet në kuadër të Planit të Veprimit të Gatishmërisë, ku spikat një kompani e deklaruar për periudhën 2016-2018 në Task – Forcën e Përbashkët të Reagimit Shumë të Shpejtë të NATO (VJTF). Në këtë kuadër, ky vit shënon pjesëmarrjen më të madhe të Forcave tona të Armatosura në stërvitjet dhe trajnimet e Aleancës.” – tha ministrja Kodheli, e cila gjithashtu theksoi nënvizoi vijimin e vendit tonë në këtë trajektore në rritje kontributesh, për mbrojtjen e popullsisë, territorit dhe vlerave të Aleancës.
Gjatë ditës së parë të takimit të ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO, ministrja Kodheli zhvilloi një takim dypalësh me homologun e saj kanadez, z. Harjit Singh Sajjan. Në fokus të takimit ishte grup-batalioni i udhëhequr nga Kanadaja në Letoni dhe kontributi ynë në të. Të dy ministrat ndanë mendimin se vendosja e forcës së përparuar të NATO në lindje, është një tregues i solidaritetit, unitetit dhe kohezionit të Aleancës. Ministrja e Mbrojtjes theksoi se vendi ynë ka identifikuar kapacitetet në dispozicion për të kontribuar në këtë përpjekje të përbashkët. Ministrat e Mbrojtjes ranë dakord që stafet respektive të jenë në kontakt për të adresuar të gjithë elementët e nevojshëm, bazuar në një kalendar me periudha kohore të përcaktuara, deri në vendosjen e plotë të grup – batalionit në Letoni.
Ministri Sajjan falënderoi ministren Kodheli për kontributin e Shqipërisë dhe theksoi se vendi ynë ka treguar gatishmëri dhe përgjegjësi në mbështetje të angazhimeve të NATO, në çdo rast kur ka qenë nevoja. Gjatë Ministerialit u zhvilluan edhe takime njohës/koordinues nëpërmjet të gjitha vendeve që do të kontribuojnë me forca e tyre ushtarake në këtë batalion.
Në prononcimin për median, Kodheli deklaroi se: “Se pari ky Ministerial vjen menjëherë pas Samitit të Varshavës dhe ka shumë mundësi që pak më mbrapa këtij ministeriali të caktohet edhe një datë për një Samit të ri, jashtë rradhës, Samit i cili do të zhvillohet pasi ne të dimë se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pra Ministeriali i tanishëm është një ministerial që zhvillohet midis dy samiteve. Ky ministerial vazhdon të mbahet në një situatë të nderë të sigurise mbarëbotërore. Shqipëria vjen krenare me kontributin e saj në të gjitha frontet; si frontin Lindor dhe frontin Jugor, për shkak të problematikave që siguria ka në këto dy fronte. Ne sot jemi pjesë e grup batalionit që do të udhëhiqet nga Kanadaja për tu spostuar në Letoni. Pjesë e këtij grup batalioni përveç Shqipërisë do të jenë edhe Spanja, Italia, Sllovakia, por dhe vende të tjera. Ne do të shkojmë me ekspertë dhe specialistët tanë dhe me officer shtabi. Ne do jemi prezent në frontin e zgjeruar lindor i cili do të funksionojë për një kohë të gjatë për shkak të kërcënimeve që vijnë nga lindja. Gjithashtu Shqipëria ka deklaruar angazhimin saj për të qënë pjesë e misionin në detin Egje, mision i cili do të udhëhiqet nga Flota Ushtarake Hollandeze, mision në të cilin bëjnë pjesë padyshim Turqia dhe Greqia si vende që lagen nga deti Egje dhe që do të jenë në suport të misionit të BE-se ku flitet për refugjatët dhe rrugëtimin e tyre nga vendet me konflikte drejt vendeve europiane. Përveç këtyre, Shqipëria është duke punuar fort dhe ka marre pozitiv vendimin politik të Komitetit Ushtarak të NATO-s për të ngritur qendrën e parë NATO-s në Tiranë-Shqipëri dhe kjo do të jetë një qendër ekselence që do të merret me problemin e luftëtarëve e huaj dhe të gjitha pasojat që vijnë nga ky fenomen”.