BSH do të ketë gati planet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme për të gjitha bankat brenda 2022
Deri tani, ky planifikim është bërë i mundur vetëm për pesë bankat me rëndësi sistemike, njëkohësisht pesë bankat më të mëdha në vend.
Plani i ndërhyrjes së jashtëzakonshme detajon hapat që duhet të ndërmerren nëse një bankë tregtare ndodhet në vështirësi financiare dhe plotëson kushtet për një ndërhyrje të tillë. Ai ka si objektiva kryesore njohjen e funksionimit të bankës dhe identifikimin e funksioneve kritike të saj, përcaktimin nëse ekzistojnë pengesa për ndërhyrjen e jashtëzakonshme në bankë dhe cilat janë hapat e nevojshëm për heqjen e këtyre pengesave, si edhe përgatitjen për ndërhyrje të jashtëzakonshme.
Ky planifikim është pjesë e procesit të parashikuar nga ligji “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka”, që përcakton rrugën që ndiqet për të shpëtuar bankat që mund të gjenden në vështirësi, me qëllim ruajtjen e funksioneve jetike të bankës dhe të stabilitetit financiar në vend.
Ky proces është një risi, që u krijua në modelin e ndjekur nga vendet e Bashkimit European pas pasojave të krizës që nisi në vitin 2008. Qëllimi kryesor i një mekanizmi të tillë është shmangia e përdorimit të parave të taksapaguesve për shpëtimin e bankave tregtare.
Shpëtimi i bankave do të bëhet përmes Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, që ka nisur të ngrihet që prej vitit 2018, me kontributin e vetë bankave. Vitin e kaluar, vlera e fondit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme arriti në pothuajse dy miliardë lekë. Objektivi është që brenda vitit 2027 ky fond të arrijë vlerën e 0.5% të detyrimeve totale të sektorit bankar. Sipas Bankës së Shqipërisë, niveli i synuar i fondit deri në vitin 2027 është 6.54 miliardë lekë. Bankat tregtare derdhin çdo vit kontributin e tyre, në përpjestim me pjesën e tyre të tregut kundrejt detyrimeve totale të sektorit. Fondi administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave dhe investohet në instrumente me rrezik të ulët, sipas përcaktimeve të ligjit.
Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë miratoi tre rregullore të reja të lidhura me procesin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme në banka. Mes tyre, ishin edhe rregullorja për krijimin dhe funksionimin e bankës urë