BSH: Konsumatorët dhe bizneset rrisin besimin në ekonomi
Bizneset dhe konsumatorët shfaqën më shumë besim në zhvillimet ekonomike gjatë muajit shtator, duke ndikuar në rritjen e treguesit të ndjesisë ekonomike me 0,3 pikë përqindje, sipas Bankës së Shqipërisë.
Referuar Vrojtimit të Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit, të publikuar sot nga Banka Qendrore, treguesi i ndjesisë ekonomike qëndron 7,8 pikë përqindje mbi mesataren historike. Përmirësimi i muajit u mbështet kryesisht nga rritja e besimit në sektorin e ndërtimit dhe nga forcimi i besimit konsumator.
Besimi i bizneseve të ndërtimit u rrit me 6,6 pikë përqindje, duke e çuar treguesin 18 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Përmirësimi u përcaktua nga vlerësimet më pozitive për aktivitetin aktual ndërtues dhe kontratat porositëse.
Rritje shënoi edhe besimi i konsumatorëve. Treguesi përkatës u rrit me rreth 2,3 pikë përqindjeje dhe rezulton rreth 5 pikë përqindjeje mbi mesataren historike.
Konsumatorët kanë vlerësuar më pozitivisht situatën e tyre financiare dhe situatën ekonomike të vendit në të ardhmen. Në rritje kanë qenë edhe vlerësimet për blerjet aktuale dhe të ardhshme për shuma të mëdha, ndërsa pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve në të ardhmen janë rishikuar në rënie.
Në sektorët e tjerë të biznesit, treguesit e besimit shënuan rënie gjatë shtatorit. Besimi në industri u ul me 3,8 pikë përqindje, në shërbime me 2,4 pikë përqindje dhe në tregti me 1,8 pikë përqindje.
Megjithatë, treguesit e besimit në të tre këta sektorë vijojnë të qëndrojnë mbi mesataret historike, përkatësisht rreth 3 pikë përqindjeje në industri, 5 pikë përqindjeje në shërbime dhe 10 pikë përqindjeje në tregti.
Sipas Bankës së Shqipërisë, të dhënat e shtatorit pasqyrojnë një përmirësim të lehtë të perceptimit të bizneseve dhe konsumatorëve për ecurinë ekonomike, me ndërtimin dhe konsumatorët që dhanë kontributin kryesor në rritjen e ndjesisë ekonomike.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.