BSH: Kredia e keqe e përqendruar në pak kompani, kryesojnë Armo dhe Kurum
Ekspertët e Bankës së Shqipërisë kanë deklaruar sot gjatë prezantimit të Raportit të Stabilitetit Financiar për 6-mujorin e dytë të vitit 2015 se rreziku kryesore në sistemin bankar në vend vijon të mbetet kreditë e këqija.
Ata shtuan se niveli i lartë i kredive me probleme është shqetësuese, si dhe përqendrimin më të madh e ka në dy kompanitë në vend ARMO dhe KURUM.
Rreziqet nga normat e interesit vijojnë të mbeten, theksuan ekspertët e Bankës së Shqipërisë, të cilat rrezikojnë rezultatet financiare të bankave. Ndërsa risku nga likuiditeti konsiderohet i ulët.
Në të njëjtën linjë, risk tjetër i konstatuar nga BSH është fluksi i pasurive të paluajtshme (kolaterale) që po kthehen në banka, si rrjedhojë e nivelit të lartë të kredive me probleme.
Nga ana tjetër, edhe përqendrimi i kredisë në pak kompani është një tjetër rrezik që thekson Banka e Shqipërisë.
“ Zhvillimet ekonomike të paqëndrueshme në tregjet ndërkombëtare dhe ato të brendshme mbeten probleme që ndikojnë negativisht sistemin bankar” – theksuan ekspertët e BSH-së.
Aktiviteti ekonomik në vend po ecën me ritme të ngadalësuar, por pritshmëritë mbeten pozitive për periudhën në vijim, thekson BSH.
“Kursimet e individëve kanë rënë me 3.4 miliardë lekë. Ekspozimi i kredive të individëve ndaj kursit të këmbimit kanë rënë. Bizneset nga ana tjetër kanë ngushtuar pozicionin debitor ndaj bankave. Kërkesa e bizneseve për kredi mbetet e dobët.”- thuhet gjatë prezantimit të Raportit të Stabilitetit Financiar të 6 mujorit të dytë të 2015.
Sa i përket kredive me probleme, BSH deklaroi se cilësia e portofolit të kredisë është përmirësuar, ndonëse niveli i kredive me probleme është ende i lartë.
“Varësia e sektorit bankar nga burimet e jashtme e financimit mbetet e kufizuar. Huamarrja nga bankat mëmë ka rënë në nivele historike. Investimet e sistemit bankar janë zgjeruar në tituj qeveritar, sidomos në obligacione. Ka një zhvendosje të kursimeve nga depozitat në bono thesari dhe obligacione.”- u theksua gjatë prezantimit të Raportit.
Banka e Shqipërisë theksoi edhe se, nëse do të ketë një rritje të beftë të normave të interesit, që sipas saj ka pak gjasa të ndodhë, kjo do të ndikonte negativisht në rezultatin financiar të bankave.
Ekspertët treguan se Bankat e kanë kaluar testin e stresit për 2016.