“Bubrrecin nuk e ka shkel”, rrëfimet e banorëve nga vendlindja e Thaçit pas vendimit të Dhomave të Specializuara
Banorë të fshatit Vajnik, afër Burojës së Skenderajt, të cilët thonë se kanë njohje dhe afërsi të hershme me familjen Thaçi, e kanë cilësuar të padrejtë aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Elmi Haliti, i cili ka thënë se ka qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ka cilësuar Gjykatën Speciale si politike, duke shprehur pakënaqësinë e tij me vendimin.
“Të gjithë jemi për Thaçin, dhe ajo Gjykatë është politike, nuk ka kryer kurrfarë krimesh… Kam qenë ushtar, por nuk po na pyet kush ne…Kam qëndrua me të e edhe me babanë e tij (Hashim Thaçit). Bubrrecin nuk e ka shkel baba i tij…”, tha Haliti.
Ndërkaq, Rexhep Haliti, i cili ka treguar se e njeh Thaçin që nga fëmijëria, pasi kanë qenë fqinj dhe kanë kaluar kohë së bashku, ka thënë se vendimi ndaj tij është i padrejtë.
Ai ka kujtuar se Thaçi ka qenë nxënës i mirë dhe i sjellshëm, ndërsa ka paralajmëruar se do të vazhdojnë të protestojnë kundër vendimit.
“Kemi qëndrua me të, kontakte kemi pas gjithmonë, afër jemi…jam gjeneratë më e vjetër, por këtu komshi jemi, kemi luajtur bashkë me të, ka qenë nxënës i mirë e i sjellshëm…Është e padrejtë (vendimi ndaj tij)…Sërish kemi me protestua e krejt jetën kemi me protestua, sepse është e padrejtë”, tha ai.
Gjykata Speciale në Hagë e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 1 vjet e pesë muaj burgim ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në disa pika në rastin kundër administrimit të drejtësisë.
Aktgjykimi është shpallur sot, nga gjykatësi Christopher Gosnell, në seancën e mbajtur në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në këtë proces gjyqësor, krahas Thaçit, janë akuzuar edhe ish-drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, i cili u dënua me 12 muaj burgim, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj i cili u shpall i pafajshëm, Fadil Fazliu me 12 muiaj burgim dhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi me një muaj burgim. /Kp/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.