“Bulevardi i flamingove ishte pasqyrë”, Rama: Shqiptarët kërkojnë më shumë, statistikat nuk mjaftojnë më!
Mësimi i parë që kryeministri Edi Rama ka nxjerrë nga protestat përpara kryeministrisë është që njerëzit nuk jetojnë më me çfarë kanë ndodhur, por me pritshmëri. Rama tha se tashmë qeverisja duhet të bazohet te përvoja e qytetarit.
Ai tha se në bulevard pa mbylljen e epokës së mungesave kur çdo gjë tolerohej dhe tani ka nisur ajo e ndryshimit kur qytetarët kanë pritshmëri të larta dhe kërkojnë gjithnjë e më mirë.
“Mësimi i parë që duhet të ndaj me ju është që faktet tona nuk mjaftojnë më sepse në Shqipërinë që ne transformuam rrënjësisht njerëzit nuk jetojnë me kënaqësinë e gjërave që ndodhin apo që ndërtohen. Kur prisnin me besim që pas rrugës, shkollës, lulishtes që u ndërtua në lagjen tjetër, t’i vinte radha së tyres. Ata jetojnë me pritshmëri që rriten më shpejt sesa mundësia jonë për t’u përgjigjur. Ata e përjetojnë me tension mes asaj që shohin dhe dëgjojnë dhe asaj që kanë, herë si burim pikëpyetjesh për çfarë po bëhet me vendin dhe shpeshherë me pasiguri për jetesën e tyre për një ekonomi që rritet shpejt bashkë me koston. Nuk mjafton më ta qeverisim të tashmen me investime, por në harmoni me përvojën e përditshme të qytetarit të sotëm sepse zemrat dhe mendjet e shqiptarëve nuk janë më ku ishin deri dje dhe s’kanë fare më lidhje me statistikat ekonomike, sado pozitive qofshin. Ato janë ankoruar mu te pritshmëritë e tyre. Prandaj dhe bulevardi i flamingove duhet parë jo si protestë, por pasqyrë që shoqëria na e vuri përpara duke na sfiduar të shohim vetveten dhe të verifikojmë seriozisht nëse e kemi mendjen dhe zemrën në vendin e duhur për ta qeverisur Shqipërië e kësaj faze të re që në radhë të parë dhe me doemos duhet ta kuptojmë ne të parët. Unë pashë mbylljen e një epoke dhe fillimin e një tjetre. Epoka e mbyllur është epoka e mungesave. Në epokën e mungesave, shoqëritë vuajnë përgjatë rrugëve pa rrugë dhe gëzohen si fëmija një dhurate. Toleranca ndaj gjërave që mungojnë është shumë e madhe. Epoka e hapur është epoka e pritshmërive ku rruga e re është standard, jo fitore. Shkolla e re është borxh që kthehet me vonesë. Çdo shërbim merret i mirëqenë dhe asnjë mungesë nuk tolerohet. Shoqëria as nuk e çon më nëpër mend nëse ka edhe më keq. Deviza e kësaj epoke është ka edhe më mirë”, tha Rama.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.