Bullgaria kërkon më pak gaz rus
Bullgaria kërkon të ndërtojë një rezervuar të madh gazi, për të siguruar furnizimin me energji, edhe për Evropën Juglindore, pasi Rusia e ndaloi projektin e South Stream-it. Ka vetëm një problem: mungon gazi.
Në sektorin energjetik, Bullgaria është thuajse krejtësisht e varur nga gazi rus. Njëkohësisht midis Moskës dhe Sofies ka mendime të ndryshme për linjën e furnizimit me gaz, South-Stream. Qe parashikuar që kjo linjë ta transportonte gazin nga Rusia në BE, nëpër Bullgarisë, duke anashkaluar territorin e Ukrainës. Por pas mosmarrëveshjeve politike, qeveria ruse e ndaloi projektin në dhjetor – në një kohë kur Bullgaria qe e interesuar të vazhdonin ndërtimet.
Rrugëdalje do të ofrojë një rezervuar mbirajonal gazi. Projekti pritet të kushtojë mbi 2,2 miliardë euro dhe kryeministri bullgar, Boiko Borissov e prezantoi atë në një forum të nivelit të lartë për energjinë në Sofie. Të pranishëm ishin ministra të Energjisë nga Austria, Kroacia, Greqia, Rumania, Hungaria, Italia, Sllovenia, Sllovakia dhe Bullgaria -shkas për takimin e tyre ishte vendimi i Moskës, për ta varrosur projektin South Stream.
Rezervuari i gazit do të mundësojë tani një lidhje më të ngushtë të rajonit me tregun evropian të gazit. Komisari i BE për Bashkimin Energjetik, Maros Sefcovic theksoi se varësia nga furnizimet me gaz rus duhet të pakësohet. “Ne ramë dakord që çdo shtet i Evropës Juglindore të marrë gas nga të paktën tri burime”, tha ai.
BE do të ofrojë financimin
Një pjesë e madhe e vëllimit të gazit për rezervuarin e ri, rreth 63 miliardë metra kub duhet të vijë nga Rusia, sasi më të vogla nga Bullgaria, Rumania dhe nga rajoni rreth Detit Kaspik. Ky gaz mund të furnizonte pastaj pjesërisht Bullgarinë dhe Rumaninë, ndërsa rreth 43 miliardë metra kub do të përcilleshin në drejtim të Evropës Qendrore. Një sasi të vogël mund të merrte edhe Serbia. Sipas qeverisë bullgare, për këtë qëllim duhet të shtrohen gjithsej 844 kilometra tubacione të reja gazi. Për financimin, qeveria bullgare shpreson para nga plani i gjerë i investimeve të Presidentit të Komisionit Evropian. Jean-Claude Juncker.
Por ideja ka megjithatë një defekt: i gjithë projekti bazohet në supozimin, se pjesa nënujore e South Stream-it, deri në qytetin e Detit të Zi, Varna do të ndërtohet. Por kjo nuk është aspak e sigurtë.
Riorganizim i tregut të gazit
Christo Kazandjiev nga organizata joqeveritare F”orumi Energjetik Bullgar” beson se depozita e gazit në Bullgari do të ishte në vendin e duhur, sepse Bullgaria ka një pozicion të mirë gjeografik dhe një rrjet të gjerë tubacionesh gazi. Por për këtë projekt do të ishte e rëndësishme që të riorganizohen rrjetet e gazit në të gjithë Evropën. “Rëndësi vendimtare kanë furnizimet e sigurta me gaz nga burime të ndryshme”, thotë eksperti i energjisë. Sepse projekti në fjalë vazhdon ta shohë South Stream-in burim kryesor furnizimi.
Një hap përpara, Bullgaria, Greqia dhe Rumania tashmë e kanë bërë: ato kanë vendosur të lidhin me njëra-tjetrën rrjetet e tyre të gazit. “Ne presim që me ne të bashkohet edhe Hungaria”, deklaroi ministrja bullgare e Energjisë, Temenushka Petkova. Brukseli duhet të japë ndihmë financiare.