Politika

Bushati në Ministerialin e NATO-s: Do të kontribuojmë në Afganistan edhe në 2016-ën

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, duke folur në Ministerialin e vendeve anëtare të NATO-s, që u zhvillua në Selinë e NATO-s në Bruksel, në datat 1 dhe 2 dhjetor 2015, deklaroi se Shqipëria do të vijojë të ofrojë kontributin saj në Afganistan edhe gjatë vitit 2016.

Me ndërhyrjen e tij në diskutimet për situatën në Afganistan, Bushati theksoi se “situata aktuale në Afganistan kërkon vijimin e angazhimit të përbashkët për mbështetjen e autoriteteve afgane, trajnimin dhe ndërtimin e kapaciteteve të Forcave të Sigurisë Kombëtare të Afganistanit”. Në këtë kontekst, Shqipëria do të vijojë të ofrojë kontributin saj në Afganistan edhe gjatë vitit 2016. Vendi ynë është i vendosur të qëndrojë atje për sa kohë të jetë e nevojshme”, tha ai.

Ministri përshëndeti vendimin e vendeve aleate kuadër dhe atyre partnere për vijimin e Misionit “Resolute Support”, duke nënvizuar në të njëjtën kohë rëndësinë e ndërmarrjes së masave më të forta nga ana e autoriteteve afgane për të përballuar sfidat e sigurisë.

Në seancën e përbashkët me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Federika Mogherini, Ministrat e vendeve aleate diskutuan lidhur me sfidat e sigurisë që shqetësojnë të dy organizatat, kryesisht ato të natyrës hibride si dhe sfidat në kufijtë jugorë, të cilat vijnë si pasojë e destabilizimit të vendeve të Afrikës Veriore dhe Lindjes së Mesme, aktivitetit në rritje të ISIL-it, si dhe progresit të Koalicionit Global kundër terrorizmit.

Në këtë pikë, Ministri Bushati renditi një sërë sfidash me të cilat po përballet sot Aleanca, që nga situata në Siri, sulmet terroriste, sidomos ato të Ankarasë dhe Parisit, krizën humanitare të refugjatëve dhe infiltrimin e mundshëm të elementëve terroristë, të cilat tregojnë qartë se rreziku nuk ndodhet më përtej kufijve të Aleancës, por ka mbërritur brenda saj.

Në këtë kontekst, Ministri Bushati theksoi se efikasiteti në luftën kundër terrorizmit kërkon një koordinim më të harmonizuar brenda Aleancës dhe mes organizatave ndërkombëtare dhe një ndërveprim komplementar NATO-BE, ku NATO është më e aftë në parandalimin e konflikteve dhe BE-ja në konsolidimin e paqes.

Në ditën e dytë të punimeve, më 2 dhjetor, në takimin e Ministrave të Jashtëm të vendeve aleate me Malin e Zi, u komunikua vendimi për dhënien e ftesës për anëtarësim në NATO të Malit të Zi.

Bushati, pasi uroi homologun malazez Lukšić për ftesën e marrë nga Aleanca, theksoi se vendimi i sotëm është rezultat i gatishmërisë politike dhe angazhimit serioz të Malit të Zi në rrugën Euro-Atlantike. “Shqipëria, vijoi më tej Ministri Bushati, ka qenë një mbështetëse e fuqishme e Politikës së Dyerve të Hapura të Aleancës dhe anëtarësimi i ardhshëm i Malit të Zi në NATO merr një rëndësi gjeostrategjike, jo vetëm për Aleancën por gjithashtu për paqen dhe sigurinë në të gjithë hapësirën e Evropës Adriatike”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button