Politika

Bushati: Nuk po e dëbojmë OSBE-në. S’ka plan për refugjatët

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati sqaroi letrën e përcjellë prej dikasterit që drejton për të gjitha ministritë, ku iu kërkohej reduktimi i projekteve me OSBE-në, publikimi i së cilës u komentua si përpjekje e qeverisë për largimin e misionit të organizatës për shkak të raportit informal të saj që rodhi në media e ku flitej për lidhje të politikanëve kryesorë shqiptarë me interesa biznesi dhe aktorë të mafias.

Nuk është kërkesë për largim të OSBE-së, pohoi shefi i diplomacisë shqiptare, duke shtuar se kërkesa për vendosjen e projekteve sipas prioriteteve është bërë në bashkëpunim edhe me vetë OSBE-në dhe që është procedure normale që bëhet me çdo organizatë tjetër.

“Për atë që ju i referoheni, për ndryshimin e mandatit të OSBE-së në Shqipëri, ka pasur disa herë ndryshime, sepse mandati fillestar ka qenë që në vitin 1997, pastaj u bë rishikimi i mandatit në 2003 e në 2005. Sot, edhe ne, edhe OSBE jemi dakord që misioni i kësaj organizate në Tiranë të jetë më efikas për të çuar përpara sfidat që ka Shqipëria”, deklaroi Bushati.

Ditmir Bushati mbrojti edhe vendimin për lirimin nga detyra të ambasadorit tonë në OSBE, Spiro Koçi, për të cilin Presidenca deklaroi se po i merreshin kompetencat kreut të shtetit, Bujar Nishani.

“Kam respekt për Presidencën e Republikës, sikurse për çdo institucion kushtetues dhe nuk kam marrë asnjë kompetencë. Unë vetëm po zbatoj ligjin dhe jam i bindur se gjithë aktorët do të zbatojnë ligjin”, theksoi Bushati.

Duke pasur në vëmendje mohimin e vijueshëm që iu bë ekzistencës së bisedimeve për sjelljen e armëve kimike në Shqipëri deri në momentin e fundit, këtë herë media është treguar vigjilente duke insistuar për sqarimin e një tjetër çështjeje të ditëve të fundit, asaj për pritjen e refugjatëve sirianë në territorin shqiptar, pavarësisht se kanë marrë një përgjigje të njohur.

“Përsa i përket azilkërkuesve jam përgjigjur që nuk ka negociata, nuk ka angazhim. Të paktën për momentin që flasim”, tha shkurt Bushati.

Ministri i Jashtëm i bëri deklaratat në fund të një seance informuese për zhvillimet në Kosovë, ku pavarësisht shfaqjes së shpeshtë të patriotizmit nga politikanët shqiptarë, një pjesë e mirë e deputetëve nuk kanë qenë të pranishëm.

Deputeti i PD-së, Aldo Bumçi pati rastin të ishte i vetmi që ngriti jo vetëm shqetësime, por edhe akuza në drejtim të politikës sonë të jashtme, që fillonin nga samiti i Vjenës, ku sipas tij Shqipëria doli më e humbura, e deri tek raportet preferenciale që qeveria ka vendosur për politikanët e Kosovës, tek mungesa e bashkëpunimit me Prishtinën, e deri tek vota e Shqipërisë për Palestinën.

Por mes këtyre nuk mungoi as konstatimi origkinal për emailin që kryeministri ua dërgonte ministrave pak kohë më parë.

“Kryeministri ju drejtohet juve: ose vritni turkun brenda jush, një gafë e jashtëzakonshme dhe e turpshme, ose hidhuni nga anija. Ju, zoti ministër, cilën këshillë do të ndiqni?”, u shpreh Bumçi.

“Nuk më zhgënjen asnjëherë në këtë komision. E di gjithmonë çfarë të kanë thënë dhe çfarë do të më thuash. Vlerësoj edhe dashurinë tuaj për detin, por si për aleatin strategjik, ashtu edhe për detin pyesni personin që keni në krye të selisë tuaj”, u përgjigj Bushati.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button