Bushati: Samiti i Vjenës të përqendrohet tek energjia
Duke qenë i pari ministër i Jashtëm shqiptar që zgjidhet anëtar i Këshillit Europian për Politikën e Jashtme, Ditmir Bushati kërkon që Konferenca e Vjenës, në fund të këtij muaji të përqendrohet tek projekte parësore, sidomos ato energjitike.
Për Shqipërinë, më shumë sesa energjitika, kjo është e rëndësishme për të zvogëluar ndikimin e madh rus në rajon.
Në qëndrimin e parë si anëtar i Këshillit të organizatës me më shumë ndikim në diplomacinë e Bashkimit Europian, ministri i Jashtëm shqiptar thotë se varësia e sigurisë së energjisë e bën Europën Jug-lindore të ekspozuar ndjeshëm nga palë të treta, me të cilën emërtohet Rusia.
“Ka ardhur koha që BE-ja të përpunojë një koncept të guximshëm e gjithëpërfshirës të sigurisë energjetike për Europën Jug-lindore. Kjo do të ndihmonte në sigurimin e një klime të mirë investimi për kompanitë europiane në rajon dhe rishfaqjen e konkurrencës së shëndoshë, në kontrast me praktikat korruptive, që zakonisht priren të favorizojnë përfshirjen e aktorëve të tretë”, thotë ministri i Jashtëm shqiptar.
Ndërsa projektet infrastrukturore priten të zënë pjesën më të madhe të tryezës së takimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së në Samitin e Vjenës, Shqipëria i paraprin takimit me qëndrimin që energjia është po aq e rëndësishme, jo vetëm nga pikëpamja ekonomike, por për së pari për sigurinë e saj.