BUTOROVIQ: GJOBAT E INSPEKTORËVE NË MAL TË ZI ARRITËN 7.92 MILIONË EURO GJATË SEZONIT TURISTIK
Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Inspektorët në Mal të Zi kanë kryer 14.930 kontrolle gjatë mbikëqyrjes së shtuar për sezonin turistik veror, duke konstatuar 8.220 parregullsi dhe shqiptuar gjoba në vlerë prej 7.92 milionë eurosh.
Ministri pa portofol, Millutin Butoroviq, bëri të ditur se kontrollet u zhvilluan nga 2 korriku deri më 9 shtator, ndërsa në krahasim me sezonin rekord të vitit të kaluar, numri i inspektimeve u rrit me rreth 5.000 dhe vlera e gjobave u dyfishua.
Gjatë kësaj periudhe, inspektorët nxorën 660 vendime për ndalimin e veprimtarisë dhe mbyllën përkohësisht 253 objekte për shkak të shkeljeve të konstatuara.
Kontrollet u përqendruan në disiplinën fiskale, luftën kundër ekonomisë informale, turizmin, tregtinë dhe sigurinë ushqimore.
Autoritetet sekuestruan gjithashtu mallra të falsifikuara me vlerë rreth dy milionë euro, ndërsa u konfiskuan më shumë se 20 skuterë ujorë për shkak të shkeljeve në det.
Inspektimet zbuluan edhe objekte hotelerie që ushtronin veprimtari pa leje, si dhe raste të përdorimit të arkave të dyfishta, të cilat autoritetet i cilësuan si shkelje të rënda ekonomike.
Butoroviq theksoi se institucionet do të vazhdojnë luftën kundër ekonomisë informale dhe zbatimin e ligjit pa përzgjedhje.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.