MALI I ZI SHTON PËRPJEKJET KUNDËR TRAFIKIMIT TË QENIEVE NJERËZORE
Foto: National Museus of American Diplomacy
Mali i Zi ka shënuar përparim në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, duke ruajtur pozicionin në kategorinë e dytë (Tier 2), sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2026.
Në raport vlerësohen përpjekjet e institucioneve për hetimin dhe ndjekjen penale të këtyre veprave, rritja e numrit të viktimave të identifikuara dhe forcimi i kuadrit institucional.
Gjatë vitit 2025, policia hetoi 20 raste të trafikimit të qenieve njerëzore, krahasuar me tetë raste në vitin 2024, ndërsa numri i të dyshuarve të proceduar u rrit nga 13 në 25.
Gjykatat dënuan nëntë persona në shtatë raste, ndërsa autoritetet identifikuan zyrtarisht 43 viktima, kundrejt 28 në vitin paraprak.
Institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile ofruan ndihmë për 42 viktima, përfshirë strehim, kujdes shëndetësor, mbështetje psikologjike dhe ndihmë juridike.
Raporti vlerëson gjithashtu miratimin e strategjisë kombëtare për luftimin e trafikimit për periudhën 2025–2028 dhe rritjen e fondeve për strehimoren shtetërore për fëmijët viktima.
Megjithatë, rekomandohet forcimi i kapaciteteve të institucioneve, identifikimi më proaktiv i viktimave, përmirësimi i shërbimeve të specializuara për mbrojtjen e tyre dhe intensifikimi i luftës kundër shfrytëzimit përmes punës së detyruar.
Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore, partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat e shoqërisë civile për zbatimin e rekomandimeve dhe përmirësimin e luftës kundër këtij fenomeni kriminal.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.