Ekonomia

Buxheti 2016, tkurren shpenzimet për të zbritur borxhin në nivel historik

Qeveria ka dërguar në Parlament draftin për buxhetin e shtetit të vitit 2016. Në morinë e ligjeve që deputetët kalojnë në një vit, ai i buxhetit është një nga më të rëndësishmit, për shkak se prek drejtpërdrejt ose jo të gjitha familjet dhe bizneset.

Por, çfarë do të sjellë buxheti i ri për qytetarët dhe ekonominë?

Tipari kryesor i buxhetit të vitit 2016 është ashpërsia, ose korrektimi i fortë i llogarive të qeverisë për të ulur borxhin publik. Sipas draftit, vitin e ardhshëm huamarrja e qeverisë do të jetë vetëm 34.4 miliardë lekë, ose 2.2 për qind e prodhimit kombëtar. Ky është niveli më i ulët historik i defiçitit buxhetor, pra borxhit shtesë që merr qeveria në një vit.

Por si do arrihet tek ulja e defiçitit në këtë nivel? Të dhënat tregojnë se, e gjithë barra e uljes së borxhit do të bjerë në krahun e shpenzimeve. Vitin tjetër, shpenzimet e qeverisë do të jenë më të ulëta në vlerë sesa ato të vitit 2014 dhe vitit 2015. Ndërsa, nëse shprehen si raport ndaj prodhimit kombëtar, shpenzimet e qeverisë vitin e ardhshëm do të jenë 2.2 për qind më të ulëta se sivjet.

Megjithatë, këto nuk janë shkurtime që prekin sektorë apo institucione, por vijnë kryesisht si pasojë e lehtësimit të buxhetit nga borxhet e prapambetura. Shlyerja e tyre përfundoi këtë vit, ndaj në vitin 2016 buxheti do jetë i çliruar nga shpenzimet për detyrimet e prapambetura, të cilat dy vitet e fundit kanë marrë nga arka e qeverisë nga 2 deri në 2.5 për qind të prodhimit kombëtar.

Por ndërsa konsolidon nga shpenzimet, qeveria nuk bën të njëjtën gjë në krahun e të ardhurave. Sipas shifrave, edhe pse në vlerë nominale vitin tjetër të ardhurat do të jenë më të mëdha se këtë vit, si raport ndaj prodhimit kombëtar ato tkurren. Rendimenti fiskal përkeqësohet, në një kohë kur qeveria nuk parashikon ulje taksash dhe pret të marrë rezultatet e aksionit kundër informalitetit, pritshmëritë optimiste për të cilin duket se janë reduktuar, të paktën te parashikimet e buxhetit.

Shpërndarja e parave për 2016-n; 1/3-tën e buxhetit e përfiton Fondi i Pensioneve

Në terma financiarë, qeveria është aktori më i madh i ekonomisë, që shpenzon përmes buxhetit gati 30 për qind të prodhimit kombëtar. Por, kush janë përfituesit kryesor të tortës më të madhe të shpenzimeve qeveritare?

Në vend të parë janë pensionistët, të cilët marrin një të tretën e të gjithë buxhetit. Më konkretisht, vitin e ardhshëm qeveria do të shpenzojë 152.6 miliardë lekë për faturën e pensioneve, ose sa 10.1 e prodhimit kombëtar. Përmes këtyre fondeve, buxheti asiston mbi 560 mijë pensionistë.

Pas pensioneve vijnë shpenzimet për pagat e administratës, të cilat vitin e ardhshëm do të jenë 61 miliardë lekë. Ndërsa zëri i tretë më i madh është ai i investimeve publike. Sipas buxhetit, vitin e ardhshëm qeveria do të shpenzojë rreth 60.4 miliardë lekë për investime, pa përfshirë fondin e rajoneve.

Buxhetet kanë gjithmonë të fituar dhe të humbur. Ndaj, në çdo vit, ligji i buxhetit është ai më i debatuari, jo vetëm mes forcave politike në Parlament, por edhe mes ekspertëve. Me gjasa, kështu do të jetë edhe sivjet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button