Buxheti 2018 që rrit ekonominë, ul borxhin dhe rrit punësimin
“Ky pr/buxhet shënon hapjen e parë të një mandati të ri që do të fokusohet i tëri tek shtet-bërja, punësimi dhe mirëqënia”, u shpreh sot kryeministri Edi Rama duke prezantuar në Kuvend pr/ buxhetin e vitit 2018.
“Dokumenti i pr/buxhetit nis me premisën tejet inkurajuese se ekonomia shqiptare rritet në mënyrë të qëndrueshme”, tha kryeministri, duke shtuar se, gjatë tremujorit të dytë të këtij viti prekëm kufirin e 4% dhe ashtu siç konfirmojnë të dhënat e besueshme nga Banka e Shqipërisë por edhe institucionet financiare ndërkombëtare. Kemi gjallërim të kërkesës së brendshme private dhe këtu vlen të theksohet rritja reale e konsumit në gjysmën e parë të vitit që po mbyllim, e cila vijoi në trendin pozitiv të rritjes reale mesatare të vitit të shkuar”.
Po ashtu, theksoi kreu i qeverisë, “i ndjeshëm është dhe përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve tregtare. Eksportet gjatë 8 mujorit të këtij viti rezultojnë me një rritje afro 13% dhe importet rezultojnë me një rritje prej 6.3%”.
Së treti, shtoi Rama, “ rritja e shpenzimeve publike, investimet në gjysmën e parë të këtij viti u rritën me afro 13 % dhe po ashtu edhe investimet e huaja direkte në tremujorin e parë të vitit kanë shënuar një rritje prej 18 % krahasuar me një vit më parë”.
Rritje e punësimit me 3.15%
Duke folur për punësimin Rama tha se, “nga anketat e forcave të punës, vihet re një rritje e punësimit në gjysmën e parë të vitit me 3.15%, kundrejt gjysmës së parë të një viti më parë. Shkalla e papunësisë vijon me trendin rënës dhe treguesi i ndjesisë ekonomike ka rritje inkurajuese dhe një përmirësim me tremujorin e tretë të një viti më parë me afro 9%”.
Ndërsa theksoi ai, “niveli aktual i treguesit të rritjes ekonomike qëndron 14 pikë mbi mesataren afatgjatë dhe 7 pikë mbi mesataren e 6 viteve të fundit”.
Buxheti realist dhe i përgjegjshëm
Kryeministri nënvizoi se, ashtu siç po verifikohet nga shifrat e këtij viti, buxheti është ndërtuar i tëri me një përgjegjësi realizëm që ka karakterizur edhe buxhetin e këtij viti.
“Mjafton të shohim të ardhurat nga tatimet dhe doganat që kanë njohur rritje me rreth 7% krahasuar me një vit më parë, ndërsa të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore kanë njohur rritje me 10%. Ndërkohë që në tërësinë e vet, rritja reale ekonomike pritet të jetë 3.94% e të gjithë vitit mbi parashikimin fillestar e kryer një vit më parë”, tha Rama.
Shqipëria ka rritjen më të lartë ekonomike në rajon
Kryeministri Rama iu referua të dhënave nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe Bashkimi Europian duke thënë se, “Shqipëria ka sot rritjen më të lartë ekonomike në rajon dhe këtë e thotë edhe Bashkimi Evropian që e vlerëson vendin tonë për konsolidimin e financave dhe uljen e borxhit”.
Kryeministri u shpreh se, “për ne këto shifra nuk duan të thonë aspak se njerëzit duhet të ngrihen dhe të duartrokasin qeverinë. Jam i bindur që me pr/buxhetin 2018 vendosim një bazë të re për të bërë shumë më tepër”.
Të ardhurat rriten me 28.1% të PBB
Kryeministri u shpreh se rritjen e tregon më së miri, “shifra e rritjes së të ardhurave në buxhetin e 2018 e cila kap nivelin 28.1% të PBB”.
Sipas kreut të qeverisë, “përveç investimeve më të larta publike buxheti do të financojë ulje të mëtejshme të borxhit publik duke e reduktuar me 2.5% vitin e ardhshëm”.
“Paketa fiskale e vitit të ardhshëm, përmes reduktimit të pragut të TVSH-së në vetëm 2 milionë lekë do të nxisë formalizimin e ekonomisë në një kosto të papërfillshme për gjithçka është thënë për biznesin e vogël”, tha Rama.
Taksimi i ndërtesës, bazohet në vlerën e pronës
Duke folur për mënyrën e taksimit të ndërtesës, Rama tha se, kalohet nga taksa e sheshtë në një taksë që bazohët në vlerën e pronës.
Këtu, shtoi ai, “vlen të theksohet iniciativa për zerimin e taksës së ndërtesës për pensionistët kryefamiljarë dhe familjet me ndihmë ekonomike. Ky është hap që na çon më tutje drejt konsolidimit të politikës tonë se kush fiton më pak paguan më pak. Dhe është një shembull tjetër se politika jonë e taksimit nuk është dhe nuk do të jetë një politikë që rëndon më të dobëtit, po lehtësimin sistematik të atyre që kanë më pak të ardhura”.
Përjashtim nga TVSH për 52 kategori dhe pajisje për peshkimin
Kryeministri foli për sektorin e peshkimit duke theksuar se, “zgjidhim një ngërç të vjetër të trashëguar të sektorit të peshkimit që lehtësohet me përjashtimin e plotë nga TVSH-ja të 52 kategorive dhe pajisjeve të peshkimit që do të japë frymëmarrje për këtë sektor”.
Kryeministri gjithashtu shtoi se, “Projekti rrit të ardhurat e qeverisjes vendore dhe për herë të parë pas miratimit të ligjit të ri për financat vendore do të transferohet në nivel vendor 2% e tatimit mbi të ardhurat personale. Po ashtu njëkohësisht e gjithë transferta e kushtëzuar për njësitë e qeverisë vendore do të jetë jo më pak se 1% e PBB që në vlerë nominale është 3 miliardë lekë më shumë”.
Buxheti nxit rritjen e punësimit dhe kujdesin social
Kryeministri u shpreh se, “ky është një buxhet i ndërtuar me përgjegjësi dhe realizëm dhe i ndërtuar për të përshpejtuar rritjen ekonomike, për të nxitur rritjen e mëtejshme të punësimit dhe për të garantuar instrumenta më efikas për kujdesin social”.
Sipas kreut të qeverisë, “ndihma ekonomike që është e ndarë në tre qarqe ku ka hyrë në fuqi skema e re e ndihmës do të jetë e gjitha e integruar në të 12 qarqet dhe rritjen për shkak të ndryshimit të skemës do ta marrin të gjitha familjet me ndihmë ekonomike edhe në 9 qarqet e tjera të vendit”.
Buxheti rrit investimet dhe ul borxhin
Buxheti i 2018 rrit investimet dhe ul borxhin, u shpreh Kryeministri. “Parashikohen 86 miliardë lekë investime publike dhe reduktohet në mënyrë të mëtejshme borxhi. Bëhet fjalë për një volum investimesh që padyshim është më i larti në historikun e investimeve. Por, në këtë volum nuk përfshihet pjesa tjetër që është programi 1 miliardë për rindërtim që ka nisur të zbatohet me projektin e parë të Rrugë së Arbrit për të cilin në javët e ardhshme do të firmoset kontrata e parë, teksa po shihen dhe projekte të reja për të transformuar akset kombëtar, ku ne sot nuk kemi asnjë rrugë kombëtare të çertifikueshme me standardet evropiane. Ambicia është që të gjitha rrugët kombëtare të vendit të jenë të çertifikueshme me standardin evropian”, tha Rama.
Rritje e ndjeshme për arsimin dhe shëndetësinë
kryeministri nënviozi se, buxheti ka një rritje të ndjeshme për arsimin dhe shëndetësinë, dy sektorë që do të njohin një fluks investimesh që nuk e kanë njohur më parë. “Buxheti i arsimit është 10% më i lartë krahasur me këtë vit, ndërsa ai i shëndetësisë është 5 % më i lartë. Infrastruktura do të marrë 42% më shumë investime dhe janë afro 400 milionë euro që do të shkojnë për ndërtimin e infrastrukturës rrugore dhe ujësjellës kanailizme. Bujqësia do të mbështetet me një paketë financiare, 15% më të lartë se ky vit”, theksoi Rama.
Ndërsa shtoi kryeminsitri, “turizmi pas uljes së taksës në 6% do të mbështetet me një paketë lehtësuese për të gjitha ato marka ndërkombatare që do investojn në hotele me 4 apo 5 yje, për të cilat Shqipëria ka nevojë alarmante”.
Patjetër, vijoi kreu i qeverisë, “paralelisht me këto kemi dhe një volum të konsiderueshëm investimesh për programin kombëtar të rilindjes urbane që do shtrihet përtej qendrave të qyteteve me përparësi në ato zona ku ka mundësi të rritjes së punësimit dhe turizmit”.
Buxheti garanton ecurinë e reformës në drejtësi
Kryeminsitri deklaroi se, buxheti garanton ecurinë e reformës në drejtësi, duke marrë parasysh të gjithë elementët dhe institucionet që krijohen si rezultat i reformës. “Po ashtu buxheti financon me një rritje të rëndësishme policinë e shtetit duke çuar më tutje programin e transformimit dhe rritjes së kësaj trupe që sot ka një nevojë të konsiderueshme për të pasur mjete dhe instrumenta që do të forcojnë aspektin e hetimit dhe zbulimit të krimeve dhe ndjekjes së rrjeteve kriminale duke shfrytëzuar inovacionet e teknologjisë”, tha Rama.
Sipas kreu të qeverisë, “ka elementë brenda buxhetit që detajojnë të gjithë filozofinë dhe mekanizmin e buxhetit për rritjen e mëtejshme ekonomike për rritjen e mëtejshme të punësimit dhe rritjen e solidaritet shoqëror dhe për të forcuar më tutje procesin e bërjes së shtetit”.
Rama nënizoi se, “ky buxhet nuk rrit taksat, lehtëson më tutje familjet në nevojë dhe ky buxhet garanton që në terrenin e Shqipërisë reale të kemi transformime të rëndësishme”
Duke e mbyllur kryeminsitri tha se, “meqë sot është dita e tolerancës unë nuk po ju them se pse të gjithë ata që do dëgjoni sapo të ulem unë janë realisht për të qeshur dhe për të qarë”.