Buxheti 2027, Hoxha: Shqipëria synon mbylljen e negociatave me BE-në deri në dhjetor 2027
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, prezantoi projektbuxhetin për vitin 2027 në Komisionin Parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke renditur prioritetet e diplomacisë shqiptare për vitin e ardhshëm.
Gjatë prezantimit, Hoxha theksoi se viti 2027 ka një rëndësi të veçantë për procesin e integrimit evropian, pasi Shqipëria synon përmbylljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
“Viti 2027 ka një peshë të veçantë, Shqipëria synon mbylljen e negociatave me BE dhe deri sot po i përmbahemi kësaj ambicie në mënyrë rigoroze. Po propozojmë një investim në kapacitetin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe në përgatitjen e saj duke patur që sot mendësinë e të qenit vend anëtar i BE. Përparësitë janë ndarë në 9 çështje kryesore. E para integrimi europian dhe përmbyllja e negociatave. Objektivi ynë është që fazën e fundit ët procesit teknik ta përmbyllim deri në dhjetor të 2027, çka na le kohë të bëjmë më pas pjesën tjetër, dhe të bëjmë të mundur që Shqipëria të hyjë në BE brenda kësaj dekade”, tha Hoxha.
Një tjetër prioritet, sipas ministrit, është siguria në hapësirën euroatlantike dhe roli i Shqipërisë në NATO. Hoxha theksoi se vendi do të vijojë kontributin aktiv në sigurinë kolektive dhe pjesëmarrjen në operacionet e Aleancës.
Në fokus do të jetë gjithashtu mbështetja për shqiptarët në rajon dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor. Duke u ndalur te Kosova, ministri nënvizoi se Shqipëria do të vijojë të ofrojë mbështetje të gjithanshme dhe të pakufizuar.
“Përparësia e dytë ka të bëjë me sigurinë në hapësirën Euroatlantike dhe rolin e Shqipërisë në NATO. Do të vijojmë kontributin aktiv në sigurinë kolektive, do të vijojmë operacionet e aleancës. Prioriteti i tretë ka të bëjë me shqiptarët në rajon dhe me stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, me marrëdhëniet dy dhe shumëpalëshe në rajonin tonë. Do të forcojmë bashkëpunimin dhe koordninimin dhe ndihmën e pakufizuar dhe të gjithanshme për Kosovën”, theksoi Ministri.
Ndër prioritetet e tjera ai përmendi forcimin e partneriteteve strategjike dhe marrëdhënieve dypalëshe, diplomacinë shumëpalëshe dhe rritjen e profilit ndërkombëtar të Shqipërisë. Ministri u ndal edhe te diplomacia ekonomike, duke theksuar rëndësinë e saj në mbështetjen e ekonomisë shqiptare dhe shfrytëzimin e potencialit të diasporës.
“E katërta ka të bëjë me partneritetet strategjike dhe marrëdhëniet dypalëshe. E pesta ka të bëjë me diplomacinë shumëpalëshe dhe profilin ndërkombëtar të Shqipërisë. Shqipëria beson te bashkëpunimi ndërkombëtar, te e drejta ndërkombëtare dhe do të vijojmë angazhimin ne OKB, OSBE, KE, si për sigurinë, të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Diplomacia ekonomike nuk është më thjesht një slogan. Do mundohemi të kapitalizojmë maksimalisht që të mbështesim ekonominë tonë përmes potencialit ekonomik të diasporës”, tha Hoxha.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.