Buxheti 2027 i Norvegjisë përfshin gati 9 miliardë dollarë ndihmë të re për Ukrainën
Norvegjia po e çon në një nivel të ri mbështetjen për Ukrainën. Propozimi i buxhetit të shtetit për vitin 2027, i paraqitur sot nga qeveria në parlament, përfshin gati 9 miliardë dollarë ndihmë të re për Kievin, paratë e të cilave do të kanalizohen përmes Programit Nansen për Mbështetjen e Ukrainës, të emëruar sipas humanistit Fridtjof Nansen, siç njofton The Kyiv Independent.

Qeveria e pakicës laburiste e kryeministrit Jonas Gahr Støre e paraqiti sot propozimin e buxhetit në parlamentin norvegjez. Sipas Reuters, plani parashikon tërheqjen e 608.4 miliardë koronave (rreth 63.6 miliardë dollarë) nga fondi sovran prej 2.3 trilionë dollarësh, në një kohë kur ekonomia e vendit pritet të rritet me 1.1% këtë vit dhe 1.7% në vitin 2027. Miratimi i buxhetit kërkon votën e parlamentit, ndaj qeverisë do t’i duhet të negociojë me katër parti të qendrës dhe të majtës.
Shuma e destinuar për Ukrainën — rreth 85 miliardë korona norvegjeze, ekuivalente me gati 9 miliardë dollarë — është në linjë me nivelin e vitit 2026. Fondet do të përdoren për shpenzime ushtarake dhe humanitare, me mbrojtjen ajrore si prioritet kyç. Ky zotim ishte njoftuar nga qeveria norvegjeze që në gusht, ndërsa propozimi i sotëm buxhetor e shndërron atë në një hap formal që i dërgohet parlamentit për miratim.
Kryeministri Støre ka deklaruar se “Mbështetja dhe rindërtimi i Ukrainës nuk është vetëm ndihmë. Është investim në sigurinë e vetë Europës”. Ai ka theksuar se mbështetja është jetike edhe për sigurinë e Norvegjisë, e cila kufizohet me Rusinë, ndërsa financimi përmes programit Nansen koordinohet ngushtë me Bashkimin Evropian dhe partnerët europianë dhe ndahet sipas nevojave të Ukrainës.
Norvegjia mbetet ndër donatorët më të mëdhenj të Ukrainës për frymë banori që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në vitin 2022, dhe vendimi i sotëm e konfirmon atë rol ndërsa lufta vazhdon dhe Kievi kërkon mbështetje të shtuar ndërkombëtare përpara një dimri tjetër.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.