Paketa antidhunë/ Kushtetuesja pranon pjesërisht kërkesën e studentëve! Pezullon pikën e gjobës deri në 5 mijë lekë për bllokim rruge (VENDIMI)
Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e studentëve dhe ka pezulluar pikën 2 të nenit 5 të aktit normativ të paketën anti-dhunë.
Vendimi vjen pas kërkesës së paraqitur nga një grup organizatash dhe grupimesh qytetare: Qendra “Res Publica”, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë, Qendra për Ruajtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri, si dhe grupimet informale studentore “Studentët n’Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”. Këto subjekte kanë kërkuar jo vetëm pezullimin e pjesshëm, por edhe shfuqizimin në tërësi të aktit normativ.
Në përfundim të shqyrtimit, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi: Pranimin e pjesshëm të kërkesës për pezullim, pezullimin e zbatimit të nenit 5 të aktit normativ, në pjesën që shton nenin 24/1, pika 2, të ligjit “Për tubimet”. Kjo dispozitë parashikonte sanksion administrativ për bllokimin e rrugëve automobilistike ose të akseve rrugore gjatë një tubimi, me pasojë pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit.
Çështja për shfuqizimin e aktit normativ ka kaluar tashmë për shqyrtim në seancë plenare. Me vendimin e sotëm, Gjykata Kushtetuese i jep përparësi shqyrtimit të kërkesës, ndërkohë që pezullon menjëherë zbatimin e dispozitës që lidhet me sanksionet administrative për bllokimin e rrugëve.
Pezullimi prek konkretisht pjesën e nenit që parashikonte masa administrative ndëshkimore në rastet kur tubimet bllokojnë rrugët dhe pengojnë qarkullimin e mjeteve.
Organizatat kërkuese e kanë vlerësuar këtë dispozitë si problematike për ushtrimin e së drejtës së tubimit, ndërsa vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese pezullon përkohësisht zbatimin e saj deri në përfundimin e shqyrtimit të plotë të çështjes.
Vendimi:
“Më 26.11.2026, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese shqyrtoi kërkesën për pezullimin e pjesshëm të zbatimit të aktit normativ nr. 5, datë 28.10.2026, të Këshillit të Ministrave, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8773, datë 23.04.2001, ‘Për tubimet’”.
Kërkesa për pezullim u paraqit nga Qendra “Res Publica”, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë, Qendra për Ruajtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri dhe grupimet informale studentore “Studentët n’Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, të cilat kanë kërkuar edhe shfuqizimin në tërësi të aktit normativ.
Në përfundim të shqyrtimit, Mbledhja e Gjyqtarëve, me shumicë votash, vendosi:
- Pranimin e pjesshëm të kërkesës për pezullim.
- Pezullimin e zbatimit të nenit 5 të aktit normativ, në pjesën që shton nenin 24/1, pika 2, të ligjit “Për tubimet”. Kjo dispozitë parashikon sanksion administrativ për bllokimin e rrugëve automobilistike ose të akseve rrugore gjatë një tubimi, me pasojë pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit.
- Shqyrtimin me përparësi të çështjes.
Çështja për shfuqizimin e aktit normativ ishte kaluar për shqyrtim në seancë plenare publike më 25.11.2026″.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.