“A është PD-ja pas organizimit të grupeve të dhunshme në protesta?”- Përplasje Demo-Korreshi në Kuvend: Kapi e arrestoji, jo llafe kot!
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, dhe deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, janë përfshirë në një debat gjatë seancës së sotme plenare të Kuvendit, ku po diskutohen aktet normative për tubimet dhe dëmet e shkaktuara gjatë protestave.
Demo ngriti akuza për përdorimin e minorenëve në akte dhune gjatë protestave, ndërsa pyeti nëse Partia Demokratike qëndron pas organizimit të grupeve të dhunshme. Korreshi iu përgjigj duke i kërkuar ministrit që, nëse disponon informacione për persona të përfshirë në akte dhune, të procedojë me arrestimin e tyre.
“Është e pafalshme që grupe të caktuara, edhe politike, i përdorin minorenët për të mbuluar aktet e dhunës. Është provuar në procese gjyqësore që minorenët janë paguar për të ushtruar dhunë në protestë”, deklaroi Demo.
Ministri i Brendshëm kritikoi opozitën për mosdënimin e këtyre rasteve, ndërsa bëri të ditur se nga mbi 300 personat e dëmtuar gjatë protestave, më shumë se 200 kanë qenë punonjës të policisë. Sipas tij, gjatë protestave janë dëmtuar mbi 30 banka, ndërsa është sulmuar edhe Banka e Shqipërisë.
Demo kundërshtoi pretendimet e opozitës për vendosjen e Tiranës në shtetrrethim gjatë protestave, duke mbrojtur veprimet e Policisë së Shtetit.
“Policia ishte aty ta çlironte Tiranën nga dhunuesit që donin ta shkatërronin dhe shkatërruan mjaft”, tha ministri, duke shtuar se policia ka detyrimin ligjor të ndalojë aktet e dhunës dhe njëkohësisht të garantojë zhvillimin e protestave paqësore.
“A është PD pas organizimit të grupeve të dhunshme në protestat e zhvilluara në Tiranë?”, ishte pyetja që Demo i drejtoi opozitës.
Në përgjigje, deputeti demokrat Saimir Korreshi iu referua përplasjeve në Asamblenë e Partisë Socialiste, ku, sipas tij, socialistët kishin akuzuar njëri-tjetrin për pagesën e personave për të hedhur gurë gjatë protestave.
“Pyetjen tënde që është organizatore Partia Demokratike, e ke përgjigjen në Asamblenë tënde të PS-së, kur e akuzonit njëri-tjetrin për 300 mijë lekë për hedhje guri. Ktheje kasetën e Asamblesë dhe do ta gjesh përgjigjen, e ke përgjigjen aty”, tha Korreshi.
Deputeti demokrat deklaroi se kishte marrë pjesë në protestë së bashku me familjen e tij, ndërsa kritikoi përdorimin e gazit lotsjellës nga policia ndaj qytetarëve që, sipas tij, protestonin në mënyrë paqësore.
“Unë nuk e kam parë nga TV protestën, kam qenë pjesë me duar në xhepa e me familjen time e s’kam shkuar as me molotov, as me kallash e as me gurë”, u shpreh Korreshi.
Ai i kërkoi ministrit të veprojë nëse disponon informacione për organizatorët e dhunës, duke i thënë: “Kapi e arrestoji, jo llafe kot, jo retorikë, se ka një procedurë”.
Në përfundim të debatit, Demo deklaroi se disponohen pamje të protestuesve të dhunshëm që, sipas tij, kanë hedhur molotovë në drejtim të forcave të policisë nga oborri i selisë së Partisë Demokratike.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.