☀️
Tiranë 12°C · Kthjellët 05 Nëntor 2026
S&P 500 7,428 ▼3.39%
DOW 51,994 ▼2.55%
NASDAQ 24,560 ▼4.57%
NAFTA 90.22 ▲2.38%
ARI 4,132 ▲1.46%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1237 EUR/GBP 0.8341 EUR/CHF 0.9179 EUR/ALL 91.1860 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5878 EUR/TRY 56.2245 EUR/JPY 177.95 EUR/CAD 1.5694 EUR/USD 1.1237 EUR/GBP 0.8341 EUR/CHF 0.9179 EUR/ALL 91.1860 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5878 EUR/TRY 56.2245 EUR/JPY 177.95 EUR/CAD 1.5694
₿ CRYPTO
BTC $76,043 ▼ -5.3% ETH $2,254 ▼ -7% XRP $1.2395 ▼ -5.27% SOL $89.7300 ▼ -6.26%
S&P 500 7,428 ▼3.39 % DOW 51,994 ▼2.55 % NASDAQ 24,560 ▼4.57 % NAFTA 90.22 ▲2.38 % ARI 4,132 ▲1.46 % S&P 500 7,428 ▼3.39 % DOW 51,994 ▼2.55 % NASDAQ 24,560 ▼4.57 % NAFTA 90.22 ▲2.38 % ARI 4,132 ▲1.46 %
EUR/USD 1.1237 EUR/GBP 0.8341 EUR/CHF 0.9179 EUR/ALL 91.1860 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5878 EUR/TRY 56.2245 EUR/JPY 177.95 EUR/CAD 1.5694 EUR/USD 1.1237 EUR/GBP 0.8341 EUR/CHF 0.9179 EUR/ALL 91.1860 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5878 EUR/TRY 56.2245 EUR/JPY 177.95 EUR/CAD 1.5694
05 Nën 2026
Breaking
Opinion

Buxheti i disiplinës fiskale por jo i transformimit ekonomik !

Nga IRENA BEQIRAJ

Teksa dëgjon qeverinë dhe disa prej deputetëve që nuk arrijnë të lexojnë as shënimet që u janë përgatitur, krijohet përshtypja se synimi është të bindin qytetarët se Shqipëria po bëhet ekonomi europiane thjesht duke u treguar madhësinë e buxhetit. Por madhësia e buxhetit nuk është matësi i zhvillimit. Një ekonomi nuk bëhet konkurruese sepse shpenzon më shumë, por sepse prodhon më mirë. Premtohet rritje, mirëqenie, investime strategjike, produktivitet, konkurrueshmëri dhe integrim europian, por raporti i fundit i Komisionit Europian për Shqipërinë, publikuar më 4 nëntor 2026, e prish disi këtë atmosferë festive. Edhe pse ai nuk e mohon rritjen ekonomike dhe as stabilitetin makroekonomik, ai evidenton një ekonomi me dobësi të thella strukturore, produktivitet të ulët, konkurrueshmëri të kufizuar, industri dhe bujqësi të dobëta, vështirësi financimi për bizneset e vogla dhe të mesme, si dhe rënie të eksporteve të industrisë përpunuese për të tretin vit radhazi.

Problemi 1. Rritemi, por çfarë po prodhojmë?
Shqipëria ka një ekonomi që mbështetet gjithnjë e më shumë te turizmi, ndërtimi dhe tregëtia, ndërsa kapacitetet prodhuese mbeten të dobëta. Komisioni Europian evidenton produktivitetin e ulët të bujqësisë dhe industrisë, si dhe rënien e eksporteve të industrisë përpunuese.
Nuk ka asgjë të keqe që turizmi të zhvillohet, por turizmi nuk mund të zëvendësojë industrinë, të modernizojë vetvetiu bujqësinë, të krijojë zinxhirë të qëndrueshëm prodhimi dhe të garantojë konkurrueshmërinë e vendit.
Në relacionin e buxhetit përmenden bujqësia, zhvillimi rural, inovacioni dhe konkurrueshmëria si fusha prioritare. Por përmendja e një sektori si prioritet nuk do të thotë se ai po merr mbështetjen e nevojshme për të ndryshuar.
Bujqësia shqiptare ka nevojë për konsolidim të fermave, mekanizim, ujitje, magazinim, përpunim, teknologji dhe organizim të zinxhirit të furnizimit. Ka nevojë që fermeri të mos jetë hallka më e dobët e një tregu ku fitimin më të madh e marrin grumbulluesit dhe ndërmjetësit.
Industria ka nevojë për kapital, teknologji, energji konkurruese, fuqi punëtore të kualifikuar dhe qasje më të lehtë në financim. Nuk mund të presim që investitorët të vijnë vetë, të ndërtojnë fabrika dhe të zgjidhin problemet që politika ekonomike nuk po i adreson. Nëse këta sektorë vazhdojnë të mbeten të dobët, Shqipëria do të vazhdojë të importojë atë që nuk arrin të prodhojë dhe të eksportojë kryesisht atë që i ofron natyra, turizmi dhe kostoja e ulët e punës.
Kjo nuk është gjë tjetër veçse vazhdimi i të njëjtit model ekonomik, i cili është i rezauruar .
Problemi 2. Të zotë për të planifikuar të ardhmen, të pazotë për ta realizuar atë!
Projektbuxheti 2027 parashikon 907.8 miliardë lekë të ardhura dhe 976.1 miliardë lekë shpenzime. Investimet publike planifikohen në 201.5 miliardë lekë, ose 6.9% të PBB-së. Shifra që tingëllojnë bukur. Por buxheti nuk është konkurs i numrave të mëdhenj, është instrumenti me të cilin duhet të ndryshohet realiteti ekonomik.
Qeveria premton se investimet publike do të rrisin produktivitetin dhe konkurrueshmërinë. Por Komisioni Europian evidenton pikërisht problemin e mosrealizimit të përsëritur të investimeve publike. Madje, edhe vetë relacioni i Projektbuxhetit pranon se në tetëmujorin e vitit 2026 shpenzimet kapitale ishin realizuar vetëm në masën 32.3% të planit vjetor të rishikuar.
Pra, kemi një problem që nuk zgjidhet duke shtuar shifrat në kolonën e planifikimit. Nëse investimet nuk realizohen, ato mbeten premtime financiare. Nëse realizohen pa një analizë serioze të përfitimit ekonomik, rrezikojnë të kthehen në shpenzime të kushtueshme me ndikim të kufizuar në zhvillim.
Nga buxheti te realiteti, rruga qenkërka më e gjatë se sa na tregojnë tabelat.
Problemi 3. Investime publike pa transparencë dhe llogaridhënie
Një nga çështjet që evidenton raporti i Komisionit Europian është dobësia e kapaciteteve institucionale dhe nevoja për transparencë, llogaridhënie dhe mbikëqyrje më të fortë të vendimmarrjes publike.
Kjo ka rëndësi të veçantë për mënyrën se si shpenzohen paratë e taksapaguesve. Një projekt publik nuk është automatikisht i dobishëm vetëm sepse është shpallur strategjik. Duhet të dimë sa kushton, çfarë përfitimi ekonomik sjell, sa vende pune krijon, çfarë ndikimi ka në produktivitet dhe si kontribuon në zhvillimin e sektorëve të tjerë.
E njëjta logjikë duhet të vlejë edhe për koncesionet dhe partneritetet publike-private. Përfitimet e pritshme, kostot reale dhe detyrimet që mund të rëndojnë buxhetet e ardhshme duhet të jenë të qarta dhe të kontrollueshme.
Problemi 4. Të ardhurat rriten, por burimet e rritjes nuk entuziazmojnë!
Të ardhurat buxhetore parashikohen të rriten me 57.2 miliardë lekë kundrejt planit të rishikuar të vitit 2026. Vetëm të ardhurat nga tatimet dhe doganat parashikohen në 583.5 miliardë lekë, me një rritje prej 8.7%.
Por relacioni i Projektbuxhetit na jep edhe një informacion interesant për mënyrën se si është llogaritur kjo rritje. Nga 46.9 miliardë lekë të ardhura shtesë të parashikuara 5.5 miliardë lekë do të realizohen nga rritja e çmimeve.
Me fjalë të tjera, 5.5 miliardë lekë shtesë pritet të vijnë thjesht nga fakti se çmimet do të jenë më të larta. Kështu, edhe shtrenjtimi i jetesës merr një rol modest në financimin e buxhetit: qytetari paguan më shumë në treg, ndërsa shteti arkëton më shumë në tatime. Një bashkëpunim fiskal për të cilin qytetari nuk është pyetur, por në të cilin kontribuon rregullisht.
Natyrisht, rritja e të ardhurave lidhet edhe me masat fiskale, strategjinë afatmesme të të ardhurave dhe faktorë të tjerë. Por këtu lind një pyetje thelbësore: sa nga rritja e arkëtimeve pasqyron zgjerimin real të ekonomisë prodhuese dhe sa vjen nga faktorë nominalë, përfshirë rritjen e çmimeve?
Nuk është e njëjta gjë të mbledhësh më shumë taksa sepse ekonomia prodhon më shumë dhe të mbledhësh më shumë sepse mallrat dhe shërbimet kushtojnë më tepër.
Në fund, nuk ka rëndësi vetëm sa para mbledh shteti. Ka rëndësi edhe nga çfarë ekonomie krijohen ato para. Sepse edhe arka e shtetit mund të duket më e pasur, ndërkohë që qytetari nuk ndihet i tillë.
Si përfundim: Duhet thënë se projektbuxheti 2027 është i pranueshëm në kuptimin e disiplinës fiskale, Deficiti parashikohet në nivele të kontrolluara dhe qeveria synon të ruajë qëndrueshmërinë e borxhit. Por një buxhet mund të jetë i disiplinuar financiarisht dhe njëkohësisht i pamjaftueshëm për të ndryshuar modelin ekonomik të vendit.
Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për më shumë buxhet. Ka nevojë për një ekonomi që prodhon më shumë se sa konsumon, eksporton më shumë se sa importon, krijon më shumë vende pune cilësore sesa humbet njerëz nga emigracioni dhe investon më shumë në dije e teknologji sesa në fasada.
Nëse ekonomia vazhdon të mbështetet te turizmi, ndërtimi, konsumi dhe emigracioni i parave e njerëzve, atëherë Shqipëria mund do të vazhdojë të afrohet me Europën në letër, por struktura e saj ekonomike do të mbetet larg standardeve që e bëjnë një vend konkurrues dhe të zhvilluar.
Madhësia e buxhetit nuk është matësi i zhvillimit. Një ekonomi nuk bëhet europiane duke shpenzuar më shumë, por duke prodhuar më mirë, duke krijuar vlerë dhe duke garantuar që përfitimet e rritjes të ndihen në jetën e qytetarëve.
Në letrat e buxhetit, ekonomia shqiptare fluturon. Në realitet, ende po kërkon krahët.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.