Çako takon përfaqësuesit e FBI-së, Jack Liao dhe Mark Neëhouse
Kreu i policisë shqiptare Haki Çako është takuar me përfaqësuesit e FBI-së, që do të asistojnë në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafiqeve dhe terrorizmit.
Gjatë takimit me dy përfaqësuesit e FBI-së, Atasheun e FBI/LEGAT Jack Liao dhe Mark Neëhouse, agjent Special i FBI-së, i specializuar për hetimin e krimit të organizuar, u vlerësua me nota shumë pozitive bashkëpunimi mes FBI-së dhe Policisë së Shtetit në luftën kundër terrorizmit.
Në takim u konfirmua vullneti i zyrtarëve amerikanë për të ndihmuar Policinë shqiptare kundër krimit të organizuar dhe në mënyrë specifike kundër krimit financiar, transfertave të paligjshme dhe aseteve të ardhura nga aktivitete kriminale.
Drejtori i Përgjithshëm Çako falënderoi zyrtarët e FBI-së dhe u shpreh se eksperienca e tyre do të shërbejë për orientim drejt rrugëve më të mira për të goditur dhe vënë përpara përgjegjësisë grupet e strukturuara kriminale.
Më pas zyrtarët e FBI-së janë takuar me Drejtorin e Departamentit për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda, Idajet Faskaj.
Takimet e këtij delegacioni do të vazhdojnë gjatë ditëve të ardhshme edhe me zyrtarë të tjerë të shtetit shqiptar.