Cakolli: Koha deri më 6 tetor e bën shumë të vështirë miratimin e Ligjit për Specialen
Pas opinionit pozitiv të Qeverisë për projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, procedura për shqyrtimin e tij mund të vazhdojë në Kuvend.
Megjithatë, sipas Eugen Cakollit nga Instituti Demokratik i Kosovës, koha e mbetur deri më 6 tetor, kur përfundon afati për çështjen e zgjedhjes së Presidentit, e bën shumë të vështirë përmbylljen e procedurave për këtë projektligj.
Cakolli thekson se Qeveria kishte afat deri në 30 ditë nga pranimi i projektligjit për të dhënë mendimin e saj, ndërsa dorëzimi i opinionit vetëm mbrëmë ka ngushtuar ndjeshëm kohën në dispozicion për shqyrtim dhe miratim.
Sipas tij, procedura e zakonshme legjislative zgjat disa javë, por Kuvendi ka në dispozicion mekanizma për përshpejtimin e procedurave dhe shkurtimin e afateve.
“Meqenëse materialet e plota të projektligjit u shpërndahen deputetëve sot, më 3 tetor”, Cakolli ka paraqitur një sërë hapash që, sipas tij, duhet të ndiqen për shqyrtimin e projektligjit.
Ai ka theksuar se Komisioni për Legjislacion, pasi të ngarkohet nga Kryetarja e Kuvendit, mund ta shqyrtojë projektligjin në parim që sot, ndërsa më pas Kuvendi mund të thirret në seancë të rregullt ose të jashtëzakonshme.
Për procedurën e përshpejtuar, Cakolli ka sqaruar se nevojitet kërkesë e së paku 30 deputetëve ose e Qeverisë, ndërsa shmangia nga afatet procedurale mund të propozohet nga së paku gjashtë deputetë dhe duhet të miratohet me dy të tretat e deputetëve të pranishëm.
Megjithatë, sipas tij, edhe procedurat e përshpejtuara kanë afate minimale që duhet të respektohen.
“Duhet të kalojnë së paku 48 orë nga shpërndarja e materialeve deri te shqyrtimi i parë dhe pastaj së paku 72 orë nga miratimi në parim deri te shqyrtimi i dytë. Pra, gjithsej së paku pesë ditë”, ka shkruar Cakolli.
Ai ka bërë të ditur se, nëse materialet janë shpërndarë dhe Komisioni për Legjislacion e miraton projektligjin, shqyrtimi i parë në seancë mund të mbahet më së hershmi të hënën, më 5 tetor.
Ndërkaq, pas miratimit në parim, projektligji duhet të kthehet në komision për shqyrtimin e dispozitave dhe amendamenteve eventuale. Duke respektuar minimumin prej 72 orësh, shqyrtimi i dytë dhe miratimi përfundimtar, sipas Cakollit, do të mund të bëheshin më së hershmi më 8 tetor.
Cakolli ka rikujtuar gjithashtu procedurat pas miratimit të ligjit, duke përfshirë dërgimin te Presidenti për shpallje, afatet për dekretim dhe mundësinë e kontestimit të ligjit në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas tij, së paku 10 deputetë mund ta kontestojnë ligjin brenda tetë ditësh nga miratimi, si për përmbajtjen, ashtu edhe për procedurën e ndjekur. Në rast të kontestimit, shpallja e ligjit pret vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Cakolli ka paralajmëruar se edhe nëse ligji miratohet me afate më të shkurtra se ato të parapara me Rregulloren e Kuvendit, ai gëzon prezumimin e kushtetutshmërisë deri në një vendim të kundërt nga Gjykata Kushtetuese.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.