Celine Dion ringjitet në skenë
Koncertin e saj të parë pas vdekjes së të shoqit, Rene Angelil, Celine Dion e ktheu në një homazh për njeriun, me të cilin ndau 21 vite të jetës.
“Ne ishim një dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Ne një do të jemi gjithmonë”, tha ajo përpara publikut të mbledhur për të ndjekur performancën e fundit të këngëtares së jashtëzakonshme në Las Vegas.
Shfaqja nisi me një kolazh fotosh e videosh të Angelilit në rrjedhën e viteve, shoqëruar me një citim të Celine:
“Karriera ime ishte në njëfarë mënyre kryevepra e tij, kënga e tij, simfonia e tij. Ideja që mund ta lija të papërfunduar do ta kishte lënduar tmerrësisht shumë. E kuptova se po të largohej ai përpara, unë do të vazhdoja këngën për të”.
Pas kësaj, perdja u hap dhe Dion shfaqet në mes të skenës me një fustan të zi vezullues. Pasi turma i dhuroi një brohoritje të fuqishme, ajo nisi të këndonte “With One More Look at You”, me zërin që ndonjëherë i shkëputej.
Rene Angelil, i cili përveç se bashkëshorti, ishte dhe menaxheri i yllit botëror të muzikës, ndërroi jetë më 14 janar në moshën 73-vjeçare, pas një lufte të gjatë me sëmundjen e kancerit. Për herë të parë, ata janë takuar kur Celine ishte vetëm 12 vjeç, ndërsa ai 38, por lidhja e tyre do të niste shumë më vonë, për t’u kurorëzuar në martesë në Montreal, në vitin 1994.