SOFT NEWS – Oktoberfest nis në mënyrën më të mirë të mundshme
MYNIH, 20 shtator /ATSH-DPA/ – Edicioni i 191-të i Oktoberfestit ka nisur në qytetin jugor gjerman të Mynihut dhe, në këtë festival të famshëm të birrës, priten më shumë se gjashtË milionë vizitorë nga e gjithë bota.
Kryetari i ri i bashkisë së Mynihut, Dominik Krause (nga partia e të Gjelbërve), hapi fuçinë e parë të birrës me vetëm dy goditje çekiçi gjatë ceremonisë së tij të parë të hapjes së Oktoberfestit, të shtunën, përpara se të shpallte “O’zapft is” – një shprehje bavareze që do të thotë “është hapur” (fuçia).
Krause, 36 vjeç, kishte deklaruar më parë se synimi i tij ishte ta hapte fuçinë me “dy deri në tri” goditje.
Duke ndjekur traditën, ai ia dorëzoi litrin e parë të birrës kryeministrit bavarez, Markus Söder, nga partia konservatore Bashkimi Social-kristian (CSU), pavarësisht përplasjeve të shpeshta politike mes Söderit dhe të Gjelbërve.
Kjo ishte hera e parë që Söder e merrte birrën e hapjes së Oktoberfestit nga një kryetar bashkie i të Gjelbërve.
Krause e mban këtë post që prej muajit maj. Söder bëri shaka duke thënë se kryetari i bashkisë kishte pasur sukses sepse ishte stërvitur për muaj të tërë në procedurën e hapjes së fuçisë.
Ndërsa të shtënat e topave sinjalizuan nisjen zyrtare të festivalit, Krause dhe Söder ngritën gotat dhe uruan për një Oktoberfest pa incidente.
Dhjetëra mijëra vizitorë, të cilët kishin pritur në çadrat e birrës që prej mëngjesit, mundën më pas të porosisnin birrat e tyre të para.
”Mot i shkëlqyer, shumë vizitorë dhe një ceremoni hapjeje e përsosur”, tha drejtori i Oktoberfestit, Christian Scharpf.
Söder theksoi se kjo ishte një kohë për të festuar, duke lënë mënjanë politikën.
“Besoj se sa më të vështira të jenë kohët, aq më e rëndësishme është të shkëputesh nga stresi dhe të marrësh frymë lirisht gjatë krizës”, tha ai.
Oktoberfesti tërheq personazhe të njohura
Yje nga bota e sportit dhe kulturës ishin të pranishëm në ditën e hapjes, përfshirë futbollistin e Bayernit, Joshua Kimmich, dirigjentin e Filarmonisë së Mynihut, Lahav Shani, dhe yllin e muzikës pop, DJ Ötzi.
Për 16 ditë, deri më 4 tetor, vizitorët mund të shijojnë çadrat e birrës, atraksionet e panairit, ushqimin tradicional bavarez dhe muzikën live, ndërsa shumë prej tyre vishen me veshjet tradicionale “dirndl” dhe “lederhosen”.
Vizitorët filluan të dyndeshin drejt ambienteve të festivalit që herët të shtunën, në një mot të butë dhe me diell, ku shumë prej tyre ishin veshur me kostume tradicionale bavareze.
Disa njerëz kishin pritur në errësirë, jashtë gardheve që rrethojnë zonën e festivalit, që prej orëve të para të mëngjesit.
Kur portat u hapën pak pas orës 09:00 (07:00 GMT), vizitorët vrapuan drejt çadrave të birrës për të zënë vende të mira.
Personeli i sigurisë i ngadalësonte vazhdimisht turmat, duke lejuar hyrjen e njerëzve në zonë në faza të ndryshme.
Festivali, i njohur lokalisht si “Wiesn”, konsiderohet si festivali më i madh i birrës në botë.
Çmimet e birrës i afrohen shifrës 16 euro
Birra e Oktoberfest-it është sërish më e shtrenjtë këtë vit; masa standarde prej një litri kushton midis 14,80 dhe 15,90 euro (17 deri në 18,27 dollarë).
Çmimi mesatar është rritur me 2,38% krahasuar me vitin e kaluar, duke arritur në 15,61 euro.
Vizitorët që duan të kursejnë para mund të përdorin çezmat me ujë të pijshëm falas që ndodhen nëpër zonën e festivalit.
Ndërsa çmimi i birrës së Oktoberfest-it është një temë e përhershme debati, Peter Inselkammer, zëdhënës i pronarëve të çadrave të birrës në festival, tha se ajo mbetet relativisht e lirë sipas standardeve ndërkombëtare.
Ai përmendi një sallë të madhe birre në stilin bavarez në Las Vegas, ku një litër birrë kushton 24 dollarë.
Më shumë se 50 kamera të mbështetura nga inteligjenca artificiale synojnë të zbulojnë grumbullime potencialisht të rrezikshme të njerëzve që në fazat e hershme.
Në ditët me fluks të lartë, një vëzhgues i turmës do të monitorojë gjithashtu lëvizjen e vizitorëve dhe mund të japë njoftime për pjesëmarrësit nëse është e nevojshme.
Rreth 600 oficerë policie dhe qindra punonjës sigurie, të punësuar nga qyteti dhe organizatorët e festivalit, janë në shërbim në zonën e festivalit.
Policia deklaroi se është gjithashtu e përgatitur mirë pas incidenteve të fundit me dronë, duke pasur mbështetjen e një qendre të re ekspertize dhe mbrojtjeje kundër dronëve.
Vizitorët duhet t’u nënshtrohen kontrolleve në hyrje, ndërsa thikat dhe objektet e tjera të rrezikshme janë të ndaluara./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.