CIA: hapen dokumente të Luftës së Ftohtë, raportet për presidentët Nixon dhe Ford
Agjensia Qendrore e Zbulimit amerikan, CIA, ka bërë publike 2500 dosje të sekrete, që janë përdorur për të informuar presidentët Richard Nixon dhe Gerald Ford gjatë viteve 1970-të, duke hedhur kështu më shumë dritë mbi këtë periudhë kritike të Luftës së Ftohtë.
Në 28 mijë faqet e dokumentave ndodhen pjesë me të dhëna magjepsëse për zhvillimet botërore, përfshirë luftën e debatueshme në Vietnam, gjatë së cilës humbën jetën mbi 58 mijë ushtarakë amerikanë.
Me këto dosje janë informuar presidentët Nixon dhe Ford gjatë një periudhe tetë-vjeçare, që nga janari i vitit 1969. Ato ofrojnë të dhëna rreth ngjarjeve si vizita historike e zotit Nixon në Kinë dhe në Bashkimin Sovjetik, të parat vizita të një presidenti amerikan, si dhe për periudhën e skandalit që rezultoi në dorëheqjen e tij.
Dosjet e informimit të viteve të Presidentit Ford përshkruajnë momente historike, si mbarimin e luftës në Vietnam, si dhe vdekjen e themeluesit të Republikës Popullore të Kinës, Mao Ce Dun.
Kur Presidenti Nixon mbërriti në Pekin, më 21 shkurt 1972, dosjet përshkruajnë në mënyrë të detajuar se cilët zyrtarë kinezë morën pjesë në aktivitetet e ndryshme, duke synuar kështu një pamje më të plotë të funksionimit të byrosë politike kineze, një organizëm që vëzhgohet nga afër edhe sot.
Çdo fashikull informues prej rreth 10 faqesh tregon se sa pak dinte CIA rreth Kinës, vendin me popullsinë më të dendur në botë që sapo kishte filluar të merrte një rol global pas mbi dy dekadash izolimi.
Përmbledhja e CIA-s pas vizitës e informonte Presidentin Nixon se vizita tronditi Bashkimin Sovjetik dhe Japoninë, si dhe motivoi vendet evropiane për t’u angazhuar me Kinën. Ndërsa vetë Kina përshkruhet si “përgjithësisht e kënaqur” prej vizitës së tij.
Më 10 gusht 1974, një ditë pas dorëheqjes së zotit Nixon, dosja informuese për Presidentin e ri Ford ofron detaje për reagimet në botë ndaj largimit të zotit Nixon.
“Asnjë nga vendet që krijojnë zakonisht telashe nuk ka shkaktuar as edhe një lëkundje të vetme”, thuhet në dosje.
Gjatë një informimi të gati një viti e gjysëm më vonë, Presidenti Ford mësoi për vdekjen e Mao Ce Dunit, i cili përshkruhet si “forca dominuese në politikat kineze”.
Këto dosje të CIA-s për informimin e zyrtarëve më të lartë nuk tregojnë se sa u ndikua vendim-marrja e zotit Nixon, i cili ishte përgjithësisht natyrë e tërhequr. Presidenti Nixon kishte vendosur mos të informohej drejtpërdrejtë nga zyrtarët e CIA-s, por nëpërmjet këshilltarit të tij të sigurisë kombëtare, Henry Kissinger.
Një dokument tjetër tregon se zyrtarët e CIA-s ndjeheshin të dekurajuar prej mungesës së kontaktit të drejtpërdrejtë me Presidentin Nixon, i cili mbante mëri ndaj agjensisë së zbulimit për shkak të humbjes në zgjedhjet e vitit 1960 përballë Presidentit John F. Kennedy. Zoti Nixon besonte se CIA nuk kishte hedhur poshtë pohimin e gabuar të zotit Kennedy se SHBA-ja kishte hequr dorë nga pozita e tyre si vendi me teknologjinë më të përparuar të raketave balistike ndërkontinentale përballë Bashkimit Sovjetik.
Në një përmbledhje të vitit 1973, zoti Nixon u informua për një takim që do të mbahej nga Organizata për Bashkimin Afrikan. Aty thuhet se prania e Izraelit në Afrikë do të shndërrohej në çështje parësore në këtë konferencë, për shkak edhe të kërkesave të Presidentit libian Moammar Gadhafi që “shtetet afrikane të ndërpresin marrëdhëniet me Izraelin, ose të humbasin ndihmën që Libia jep për to dhe për grupet çlirimtare”.
Në Kili, zgjedhja në vitin 1970 e Presidentit Salvador Allende e shqetësoi zotin Nixon, i cili mendonte se Kili do të bëhej një “Kubë e dytë”, një vend tjetër komunist në hemisferën perëndimore.
Gjatë tre viteve në vazhdim, Presidenti Nixon dhe zoti Kissinger përdorën CIA-n për të mbështetur fshehurazi kundërshtarët e zotit Allende, me synimin për ta hequr nga pushteti, ose për të nxitur një grusht shteti. Zoti Allende u vra gjatë një puçi në shtator 1973, të udhëhequr nga komandanti i ushtrisë, Augusto Pinochet, duke shkaktuar kështu dekada të tëra debati për rolin e CIA-s në këtë puç. Në këto dosje informimi nuk konfirmohet roli i drejtpërdrejtë mbështetës i CIA-s për rrëzimin e qeverisë kiliane.
Në këto dosje i kushtohet vëmendje e konsiderueshme zhvillimeve në Indokinë, ku SHBA-ja po përpiqej të tërhiqej prej luftës në Vietnam dhe të mbështeste qeveritë që po dështonin në Kamboxhia dhe Laos.
Jo i gjithë informacioni i CIA-s në këto dosje rezulton të ketë qenë i saktë. Një analizë e paraqitur Presidentit Ford më 28 mars 1975, parashikonte se forcat vietnamezo-jugore, të trajnuara nga SHBA-ja, do të ruanin stabilitetin deri në fillimin e vitit 1976. Vetëm një muaj pas këtij informacioni, forcat komuniste nga Vietnami i veriut morën Sajgonin, kryeqytetin e Vietnamit jugor.
Presidenti Ford ndoqi një praktikë tjetër nga Presidenti Nixon, duke preferuar të informohej vetë drejtpërdrejtë nga zyrtarët e CIA-s. Publikimi i këtyre ish-dosjeve sekrete është pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme për të bërë të ditura të dhënat e zbulimit që u janë dhënë presidentëve amerikanë. Ato u bënë publike nga drejtori aktual i CIA-s, John Brennan dhe nga drejtori kombëtar i zbulimit, James Clapper, në Bibliotekën Presidenciale “Richard Nixon”, në Yorba Linda të Kalifornisë.