Tiranë 17°C · Pjesërisht vranët 15 May 2026
S&P 500 7,501 ▲0.77%
DOW 50,063 ▲0.75%
NASDAQ 26,635 ▲0.88%
NAFTA 103.32 ▲2.13%
ARI 4,576 ▼2.33%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1681 EUR/GBP 0.8688 EUR/CHF 0.9149 EUR/ALL 95.5366 EUR/MKD 61.6942 EUR/RSD 117.3980 EUR/TRY 53.1506 EUR/JPY 184.75 EUR/CAD 1.6023 EUR/USD 1.1681 EUR/GBP 0.8688 EUR/CHF 0.9149 EUR/ALL 95.5366 EUR/MKD 61.6942 EUR/RSD 117.3980 EUR/TRY 53.1506 EUR/JPY 184.75 EUR/CAD 1.6023
₿ CRYPTO
BTC $80,603 ▲ +0.96% ETH $2,256 ▼ -0.56% XRP $1.4701 ▲ +2.46% SOL $91.0600 ▼ -0.27%
S&P 500 7,501 ▲0.77 % DOW 50,063 ▲0.75 % NASDAQ 26,635 ▲0.88 % NAFTA 103.32 ▲2.13 % ARI 4,576 ▼2.33 % S&P 500 7,501 ▲0.77 % DOW 50,063 ▲0.75 % NASDAQ 26,635 ▲0.88 % NAFTA 103.32 ▲2.13 % ARI 4,576 ▼2.33 %
EUR/USD 1.1681 EUR/GBP 0.8688 EUR/CHF 0.9149 EUR/ALL 95.5366 EUR/MKD 61.6942 EUR/RSD 117.3980 EUR/TRY 53.1506 EUR/JPY 184.75 EUR/CAD 1.6023 EUR/USD 1.1681 EUR/GBP 0.8688 EUR/CHF 0.9149 EUR/ALL 95.5366 EUR/MKD 61.6942 EUR/RSD 117.3980 EUR/TRY 53.1506 EUR/JPY 184.75 EUR/CAD 1.6023
15 May 2026
Breaking
Ekonomia

Cilësia e punës, punonjësit shqiptarë ndër më të pakënaqurit e Europës (7 arsyet)

Cilësia e punës nuk përcaktohet vetëm nga paga, por nga një kombinim faktorësh që ndikojnë në përvojën e përgjithshme të punës dhe në jetën personale të individit.

Përveç të ardhurave, janë edhe gjashtë faktorë të tjerë që ndikojnë drejtpërdrejt te cilësia e punës: cilësia e kohës së punës, perspektiva dhe siguria në punë, aftësitë dhe autonomia në punë, intensiteti i punës, mjedisi social në punë dhe mjedisi fizik i punës. Të gjithë këta elementë së bashku japin një panoramë më të plotë të kushteve të punës.

Sipas studimit të fundit të Eurofound, projekt i Komisionit Europian, këta shtatë tregues lidhen drejtpërdrejt me mirëqenien, motivimin, produktivitetin dhe shëndetin e punonjësve. Eurofound e ka matur cilësinë e punës përmes anketimit mbi kushtet e punës dhe punën e qëndrueshme, i cili realizohet një herë në pesë vjet dhe u publikua në prill. Në këtë anketim janë përfshirë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, krahas shteteve të Bashkimit Europian. Vlerësimi për secilin tregues matet nga 0, që tregon situatën më të keqe, deri në 100, që përfaqëson situatën më të mirë.

Një cilësi më e lartë e punës shoqërohet me më shumë kënaqësi në jetë, angazhim më të madh në punë, besim më të lartë social dhe më pak gjasa që punonjësit të largohen nga vendi i punës.

Raporti evidenton dallime të mëdha mes vendeve europiane, të cilat lidhen me përbërjen e tregut të punës, kuadrin institucional dhe rregulloret që zbatohen në secilin shtet. Danimarka, Finlanda, Luksemburgu, Holanda dhe Norvegjia kanë rezultatet më të larta në shumicën e treguesve, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor raportojnë mesatarisht nivelet më të ulëta të cilësisë së punës.

Punonjësit shqiptarë raportojnë pakënaqësi të lartë për të ardhurat, cilësinë e kohës së punës, mjedisin social dhe fizik, mungesën e perspektivës dhe ngarkesën në punë. Më pozitivë ata shfaqen vetëm në lidhje me zhvillimin e aftësive profesionale.

Të ardhurat, shqiptarët ndër më të pakënaqurit

Pakënaqësia më e madhe e punonjësve shqiptarë lidhet me të ardhurat. Shqipëria renditet në fund të listës së bashku me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, me 53 pikë, ndërkohë që mesatarja europiane është 58 pikë. Greqia rezulton e fundit me 52 pikë.

Raporti tregon gjithashtu se 39% e punonjësve shqiptarë kanë vështirësi ose shumë vështirësi për të përballuar fundin e muajit, ndërsa mesatarja europiane është vetëm 8%. Kjo është përqindja më e lartë në Europë dhe me diferencë të madhe nga vendet e tjera. Pas Shqipërisë renditet Greqia, ku 21% e të anketuarve deklarojnë se nuk arrijnë të përballojnë shpenzimet mujore.

Interesant është fakti se punonjësit në Kosovë, ndonëse vendi ka ndër pagat më të ulëta në Europë, nuk renditen në fund për treguesin e të ardhurave. Kosova ka 58 pikë, në nivelin e mesatares europiane dhe më lart se vende si Franca, Spanja dhe Italia.

Treguesi i të ardhurave mat në çfarë mase puna siguron jetesën e punonjësit. Ai përfshin nivelin e të ardhurave, parashikueshmërinë e tyre dhe perceptimin e drejtësisë së pagës në raport me punën dhe përpjekjen e bërë.

Cilësia e kohës së punës, Shqipëria e parafundit

Një tjetër tregues ku Shqipëria renditet e parafundit është cilësia e kohës së punës, me 64 pikë, ndërsa mesatarja europiane është 75 pikë. Pas Shqipërisë renditet vetëm Mali i Zi.

Ky tregues vlerëson cilësinë e kohës së kaluar në punë dhe përfshin kohëzgjatjen e orarit të punës, punën në orare jo standarde, fleksibilitetin, parashikueshmërinë e orareve dhe kontrollin që punonjësit kanë mbi kohën e tyre të punës.

Punonjësit shqiptarë raportojnë mjedis social negativ

Edhe për mjedisin social Shqipëria renditet e parafundit në Europë, me 73 pikë, kundrejt mesatares europiane prej 79 pikësh. Pas saj vjen vetëm Mali i Zi.

Mjedisi social lidhet me marrëdhëniet në vendin e punës, si me kolegët ashtu edhe me drejtuesit. Ai përfshin mbështetjen sociale, mungesën e sjelljeve negative dhe cilësinë e menaxhimit.

Shqipëria dhe Kosova me mjedisin fizik më të rëndë të punës

Për mjedisin fizik të punës, Shqipëria renditet sërish e parafundit në Europë, me 70 pikë, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian është 81 pikë. Pas Shqipërisë renditet vetëm Kosova.

Ky tregues mat ekspozimin ndaj rreziqeve fizike dhe kërkesave të rënda fizike në vendin e punës.

Mungesë perspektive në punë

Edhe për perspektivën në punë, Shqipëria renditet ndër vendet e fundit, me 72 pikë, kundrejt mesatares europiane prej 75 pikësh. Pas saj renditen Sllovakia, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Rumania, Çekia, Mali i Zi dhe Kosova, e cila rezulton e fundit në Europë.

Ky tregues lidhet me sigurinë dhe kontrollin që punonjësit ndjejnë për të ardhmen e tyre profesionale. Ai përfshin perspektivën e karrierës, sigurinë e vendit të punës, cenueshmërinë dhe statusin e punësimit.

Ngarkesë e lartë në punë

Punonjësit shqiptarë raportojnë gjithashtu intensitet të lartë pune. Shqipëria ka 60 pikë, ndërsa mesatarja europiane është 67 pikë, duke lënë pas Norvegjinë, Kosovën, Malin e Zi, Maltën dhe Qipron.

Ky tregues mat ritmin me të cilin kryhet puna gjatë orarit të punës. Ai përfshin ngarkesën, kërkesat emocionale dhe kufizimet që ndikojnë në ritmin e punës, si presioni nga klientët, menaxherët apo objektivat e prodhimit.

Shqiptarët vlerësojnë aftësitë e tyre profesionale

Rezultatin më të mirë Shqipëria e ka në treguesin e aftësive dhe autonomisë në punë, me 55 pikë, shumë pranë mesatares europiane prej 57 pikësh. Shqipëria lë pas vende si Spanja, Mali i Zi, Portugalia, Greqia dhe Italia. Megjithatë, edhe në këtë tregues Kosova ka rezultat më të lartë, me 60 pikë.

Ky tregues lidhet me mundësinë që punonjësit kanë për të përdorur dhe zhvilluar aftësitë e tyre profesionale, për të marrë vendime në punë dhe për t’u trajnuar e zhvilluar profesionalisht.

Anketa

Anketa Europiane për Kushtet e Punës 2024, e publikuar në prill, ofron një panoramë të gjerë mbi cilësinë e punës në Europë, duke analizuar karakteristikat e fuqisë punëtore, kushtet e punës dhe cilësinë e jetës profesionale.

Gjetjet bazohen në 36,644 intervista ballë për ballë të zhvilluara në 35 vende. Çdo intervistë ka zgjatur rreth 45 minuta, duke ofruar një pasqyrë të detajuar mbi gjendjen e punës në Europë.

Anketa realizohet rregullisht që nga viti 1990 dhe shërben si një instrument i rëndësishëm për politikëbërësit, pasi evidenton ndikimin që ka cilësia e punës në zhvillimin ekonomik dhe social.

/Marrë nga Monitor

/tvklan.al

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.