Ekonomia

Shkresa e financave për koncesionin e TVSH: Rrezikohet keqpërdorimi i të dhënave, shkelet Kushtetura

 Atashe aaaaProjekti për dhënien e administrimit të TVSH me koncesion ka rreth dy vite që është penguar nga Ministria e Financave. Si një propozim i ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Ministria e Ekonomisë administrimi ne këtë formë i TVSH-së nuk ka qenë i mirëpritur nga Ministria e Financave .

Në një memo të posaçme grupi i punës në ministrinë e Financave për koncesionin në fjalë thuhet se, praktikisht subjekti privat do të ushtrojë një funksion (mbledhjen dhe administrimin e TVSH-së), që nuk i takon me ligjin për procedurat tatimore.

“Kjo formë nënkupton ndryshim të sistemit aktual dhe delegim i autoritetit publik për sa i përket tatimeve te privati vë në dyshim shumë elementë dhe qëllime të sistemit aktual që lidhen me rrezikun e keqadministrimit dhe keqpërdorimit të të dhënave, zhveshjen e shtetit nga autoriteti kryesor i mbledhjes dhe administrimit të të dhënave dhe do të ngrejë pikëpyetje të mëdha për sa i përket sistemit të ankimeve ndaj vlerësimeve tatimore etj, lidhur me subjektin që do të jetë palë e paditur nga tatimpaguesit që ankohen dhe me marrëdhëniet detyrimore koncesionar-shtet-tatimpagues. Po ashtu, është shumë e diskutueshme zgjidhja e propozuar lidhur me pronësinë mbi asetet pas përfundimit të koncesionit” thuhet në memon e Ministrisë së Financave pwr koncesionin ne fjale, të cilën e disponon Monitor.

Grupi i punës në Ministrinë e Financave ka argumentuar se, koncesioni duhet miratuar me ligj, pasi neni 155 i Kushtetutës kërkon që përjashtimi nga taksa, etj, të bëhet me ligj.

Shkresa paralajmëron që duke qenë se praktika kërkon që ky koncesion të miratohet me ligj, kjo e ve dhe vetë shtetin në pozitë delikate edhe në rastet kur dhënia e koncesioneve është miratuar me praktika të këqija etj.

Në përfundim, vlerësohet se sistemi i propozuar bie ndesh me parimet themelore të funksionimit të sistemit aktual dhe me tiparet kryesore ligjore të tij propozon zgjidhje jo të përshtatshme.

Monitor e botoi shkresën ne shtator të 2015 kur koncesioni i TVSH ishte ende një ide dhe që konsiderohej mjaft utopik nga grupet e interesit (http://www.monitor.al/tvsh-me-koncesion-ja-shkresa-me-argumentet-kunder-te-ardhurat-20-30-milione-euro-ne-vit/).

Qeveria e shpalli zyrtarisht dje dhënien e administrimit të TVSH me koncesion të formës Partneritet- Publik Privat. Zv ministria e Financave Irena Beqiraj ka shpjeguar se koncesioni do të jepet me garë të hapur dhe ka qellim përmirësimin e procedurës se mbledhjes së tatimit.

Ajo pohoi se ka një propozim të pakërkuar nga kompania MPOS, por do të hapet tender, i cili do të shpallet në Financial Times. Koncesioni do të jepet për një periudhë dhjetë vjeçare. investimi i projektit është 9.57 mln euro ndërsa u bë e ditur se kosto e operimit do të jetë 8.2 mln euro. Në 10 vjet llogaritet një kosto totale prej 91 milionë euro.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button