Në muajin shtator, rastësisht, dikush më njoftoi, që FONDACIONI MAPO, organizonte një konkurs letrar, me dorëshkrime në prozë, fituesi i të cilit, do të merrte çmimin ‘’Kadare’’, shoqëruar me një shpërblim miklues.
Kishte qenë edhe një dëshirë e imja, e hershme, që emri i shkrimtarit të madh, ‘’mantelin e të cilit e kemi veshur’’ të gjithë ne brezat, që u rritëm me letërsinë e tij, siç shprehej me plot të drejtë, koordinuesi këtij bordi, që do të japë këtë çmim, Alfred Lela, të përdorej për të kurorëzuar talente në letërsi.
Për të parën herë, vendosa të marrë pjesë edhe unë. E mënjanuar prej vitesh, për shkak të politikave komerciale, që në të shumtën e rasteve, kanë lejuar triumfin e mediokriteteve, më ishte krijuar mosbesimi i plotë, për falsitetin e konkurseve të tilla.
Por, kur bordi i fondacionit të lartpërmendur, kishte arritur të merrte ‘’bekimin’’ e shkrimtarit tonë, mendova, se më në fund, po shfaqeshin shenja serioziteti. Gjithsesi, dyshimi mosbesues, më gërricte në stomak, si thonjë maceje.
Houellebecq, tek ‘’Harta dhe territori’’ shprehet:
‘’Mund të punosh në vetmi për vite e vite, çka, në fakt, përbën të vetmen mënyrë për t’u shprehur e për të thënë të vërtetën; por vjen gjithmonë një çast kur ndjen nevojën për t’ia treguar punën tënde botës, më shumë për ta siguruar veten tënde mbi ekzistencën e një pune të tillë e, për pasojë vetë ekzistencën tënde – sesa për të mbledhë gjykimet e të tjerëve; në brendësi të qenies sociale individi është veçse një trillim i shkurtër”.
Vendosa kësisoj, që të nis edhe unë dorëshkrimin tim, të punuar gjatë dhjetë viteve të fundit, ndonëse në të shumtën e herëve, në kushte ‘’pa kushte’’, me nevojën për t’ia treguar punën time botës, ose, po t’i referohem një shprehjeje të Murakamit, që thotë: ‘’Lexuesi është mbreti im’’, të gjej edhe unë mbretin!
Iu prezantova verbalisht, dy – tre vetave të kësaj jurie, si një prozatore cilësore.
Siç e mësova më pas proçedurën e ndjekur, nga tridhjetë dorëshkrime, që ishin dorëzuar, në fazën e parë të përzgjedhjes, kishin dalë vetëm nëntë fitues. Çdo anëtari, (shtatë gjithsej) u kishin rënë për lexim, me short, 5-6 libra. Fituesit e fazës së parë do të vazhdonin garën.
Unë nuk isha në mesin e tyre. Thonjtë e maces në stomak, më gërvishtën sërish zhgënjyeshëm.
Fillova të shqyrtoj emrat e anëtarëve të jurisë, ndër të cilët, vetëm njërin prej tyre njihja, mikun tim, shkrimtarin Y. Aliçka, i cili, meqenëse gjatë kësaj periudhe ndodhet jashtë Shqipërisë, praktikisht nuk mund të ushtronte rolin e tij, si njëri prej anëtarëve të jurisë.
Virgjil Muçi, më dukej e pamundur, që t’a nënvleftësonte librin tim, për një arsye të thjeshtë: plot dhjetë vjet më parë, pa më njohur fare, duke treguar një objektivitet përgëzues, në revistën e atëhershme ‘’Klan’’, kishte bërë një vlerësim shumë pozitiv, për një librin tim me tregime, të sapobotuar.
Me korrektësi dhe mirësjellje, edhe dy prej anëtarëve të tjerë: G. Bakalli dhe P. Zogaj, më informuan, që dorëshkrimi im nuk u kishte rënë në short, për t’u gjykuar prej tyre.
Matematika elementare i thjeshtoi emrat e jurisë, nga shtatë, në tre. Më brente dyshimi se libri im nuk ishte lexuar, ose, më keq akoma, nuk i ishte dorëzuar fare, asnjërit prej anëtarëve të jurisë. Por, për të mos rënë në mëkat, dhe të akuzoja pa të drejtë, askënd prej tre të mbeturve, iu drejtova gjithsecilit, më shumë se një herë, për të më dhënë një përgjigje.
Askush prej tre zotërinjve të tjerë, anëtarë të kësaj jurie: Alfred Lela, që e ndërpreu menjëherë komunikimin me mua, sapo u krye faza e parë e përzgjedhjes, Henri Çili dhe Artur Zheji, nuk m’u përgjigjën, megjithë insistimin tim.
Më mbeti të besoj se: në qoftë se vërtetë libri ishte lexuar dhe nuk ishte përzgjedhur për vazhdimin e garës, një nga këta tre anëtarë, që do ta kishte lexuar dorëshkrimin, ose ishte joprofesionist në gjykimin e tij (e keqja më e vogël), ose i pandershëm, ose unë jam një delirante, që dua të shes mediokritetin për letërsi.
Shpresoj, që në një të ardhme, jo të largët, kur të bëhet botimi i librit tim, të rrëzuar ‘’nokaut’’ që në raundin e parë, nga juria e FONDACIONIT MAPO, për çmimin ‘’Kadare’’, lexuesi, ‘’Mbreti im’’, të gjykojë vetë.
Uroj gjithashtu, që fituesi vërtetë t’a meritoj këtë çmim, sepse me triumfin e vlerave fitojmë të gjithë. Por, edhe në qoftë se kjo fitore do të jetë e merituar, proçesi antidemokratik i arritjes së saj, e zvjerdh këtë nismë dhe e përdhos emrin e madh të këtij çmimi.