“Credit Suisse”: Ja kush janë 20 ushtritë më të fuqishme të globit
Në epokën e bombës bërthamore, vendet më të mëdha të globit harxhojnë miliarda dollarë çdo vit në përmirësimin e teknologjisë dhe aftësisë së tyre luftarake, mbrojtëse dhe sulmuese. Që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore, gara e armatosjes u zhvillua mes dy blloqeve, atij Perëndimor dhe atij Lindor, duke kulmuar me Luftën e Ftohtë. Sigurisht, në epokën e bombës bërthamore hapja e një konflikti mes fuqive të mëdha do të ishte një çmenduri dhe do të vinte në pikëpyetje të madhe fatin e vetë planetit tonë, por kjo nuk ka penguar shumë vende që të harxhojnë pjesën më të majme të buxheteve për ushtrinë.
Shtetet e Bashkuara ruajnë dominancën si për fondin ushtarak, ashtu edhe për ushtrinë më të fortë, por kush janë 19 vende të tjera që e ndjekin atë?
“Credit Suisse” ka bërë një renditje duke vlerësuar numrin e trupave të gatshme, teknologjinë, mjetet e blinduara, fuqinë ajrore, atë detare.
20 – Kanadaja. Shpenzon 15.7 miliardë dollarë për ushtrinë. Ka një personel prej 92.000 ushtarësh të gatshëm, 181 tanke, 420 avionë dhe helikopterë luftarakë dhe 4 nëndetëse.
19 – Indonezia. Shpenzon 6.9 miliardë dollarë në vit për ushtrinë, ka 476 mijë trupa të gatshme, 468 tanke, 405 avionë dhe helikopterë luftarakë dhe dy nëndetëse.
18 – Gjermania. Ka një forcë të vogël luftarake, por tejet efikase. Shpenzon 40.2 miliardë dollarë në vit për ushtrinë, ka një personel prej 179 mijë e 46 vetë, 408 tanke, 663 avionë dhe helikopterë luftarakë dhe 4 nëndetëse.
17 – Polonia. Me Rusinë agresive në krah, ky vend është detyruar të rrisë me shpejtësi paratë që shpenzon për ushtrinë. Në 2015 shpenzoi 9.4 miliardë dollarë, ka një personel prej 120 mijë trupash të gatshme, 1009 tanke, 467 avionë dhe helikopterë luftarakë.
16- Tajlanda. Shpenzon 5.39 miliardë dollarë në vit, ka një personel prej 306 mijë ushtarësh të gatshëm, 722 tanke dhe 573 avionë dhe helikopterë luftarakë.
15 – Australia. Ka një forcë të vogël ushtarake, por shumë efikase. Shpenzon 26.1 miliardë dollarë në vit për të, ka 58 mijë trupa në gjendje gatishmërie, 59 tanke, 408 mjete luftarake ajrore dhe 6 nëndetëse.
14 – Izraeli. Që nga ngritja si shtet pas Luftës së Dytë Botërore nuk ka gjetur qetësi. Kjo ka bërë që të shpenzojë shumë për ushtrinë. Aktualisht harxhon 17 miliardë dollarë për të, ka një numër prej 160 mijë trupash të gatshme.
13 – Tajvani. Kina nuk heq dorë nga vendi ishullor që e konsideron si pjesë të veten. Kjo ka bërë që Tajvani të investojë sasi të mëdha parashë çdo vit duke ngritur një nga forcat luftarake mbrojtëse më të forta në botë.
12- Egjipti. Shpenzon 4.4 miliarrdë dollarë. Ka ushtrinë më të madhe në Lindjen e Mesme, por edhe më pak modernen. Numëron 468 mijë e 500 trupa, 4624 tanke, 1107 mjete luftarake ajrore dhe 4 nëndetëse.
11 – Pakistani. Shpenzon 7 miliardë dollarë në vit për ushtrinë, numëron 617 mijë trupa të gatshme, 2924 tanke, 914 mjete luftarake ajrore dhe 8 nëndetëse.
10 – Turqia. SHpenzon 18.2 miliardë dollarë për ushtrinë, ka 410 mijë e 500 ushtarë në shërbim, 3778 tanke, 1020 mjete luftarake ajrore dhe 13 nëndetëse.
9 – Britania e Madhe. Shpenzon 60.5 miliardë dollarë, ka 147 mijë trupa në gatishmëri, 407 tanke, 936 mjete luftarake ajrore dhe 10 nëndetëse. Renditet në këtë pozicion për shkak të aeroplan-mbajtësve që zotëron.
8 – Italia. Shpenzon 34 miliardë dollarë për ushtrinë, ka një personel të gatshëm prej 320 mijë ushtarësh, 586 tanke, 760 mjete luftarake ajrore, 6 nëndetëse dhe dy aeroplan-mbajtëse.
7 – Koreja e Jugut. Tensionet e vazhdueshme me Veriun komunist e kanë detyruar Seulin që të rrisë nga viti në vit sasinë e parave që shpenzon për ushtrinë. Sot shpenzon 62.3 miliardë dollarë, ka një personel prej 650 mijë trupash të gatshme, 2381 tanke.
6 – Franca. Bën pjesë tek vendet me ushtri të vogël, por mjaft efikase. Zotëron trupat më të mirëtrajnuara, por edhe teknologjinë e fundit në armatime. Shpenzon 62.3 miliardë dollarë në vit, ka një personel prej 200 mijë trupash, 423 tanke, 1264 mjete ajrore.
5 – India. Shpenzon 50 miliardë dollarë në vit, ka një forcë prej 1 milion e 325 mijë ushtarësh të gatshëm 6464 tanke, 1905 mjete luftarake ajrore dhe 15 nëndetëse.
4 – Japonia. Ushtrinë e vet e ka ngritur mbi qëllime mbrojtëse dhe sot ka ndoshta forcën më vdekjeprurëse të mbrojtjes që përbëhet nga një folë e madhe helikopterësh. Shpenzon 41.6 miliardë dollarë në vit, ka në gatishmëri 250 mijë trupa, 1613 mjete luftarake.
3 – Kina. Vitet e fundit ka rritur ndjeshëm shpenzimet për ushtrinë duke e modernizuar atë. Sot shpenzon 2016 miliardë dollarë në vit, ka një forcë tokësore gjigante, prej 2 milionë e 333 mijë trupash, 9150 tanke, 2860 mjete luftarake ajrore dhe 67 nëndetëse.
2 – Rusia. Shpenzon 84.5 miliardë dollarë në vit, ka një personel prej 766 mijë trupash në gatishmëri, 15400 tanke, 3429 mjete luftarake ajrore dhe 55 nëndetëse.
1 – Shtetet e Bashkuara. Shpenzojnë 601 miliardë dollarë në vit për ushtrinë, ka një personal të gatshëm prej 1 milionë e 400 mijë trupash, 8848 tanke, 13892 mjete luftarake ajrore dhe 72 nëndetëse.