Daja vs Daja… ose “kryengritje në shtëpi”/ Iliri dhe Gleni, historia e veçantë e futbollit shqiptar
Nga Olsi Avdiaj, Panorama Sport: “Kryengritje në shtëpi”. Kjo është fabula e përballjes së javës së 12-të në Kategorinë Superiore që vë përballë Dinamon dhe Elbasanin. Një sfidë që veç rivalitetit mes dy skuadrave, faktit që Ilir Daja e ka shpallur kampion për herë të fundit ekipin verdheblu, do të ketë përplasjen mes babait dhe djalit.
Ose Ilir dhe Glen Dajës, këtë herë jo për ndonjë mosmarrëveshje familjare, por si trajnerë skuadrash futbolli. Duel, që ndoshta nuk ndodh shpesh në futboll, ku përballja do të zbulojë nëse i biri i ka vjedhur babait gjithë të fshehtat, apo profesori mbetet gjithmonë ai, me “asin nën mëngë”.
Daja vs Daja Futbolli shqiptar ka një histori të veçantë për të treguar në këtë sezon. Për herë të parë në një situatë të tillë, dy breza të së njëjtës familje do të jenë të pranishëm në pankinat e Kategorisë Superiore, por në krahë të kundërt. Ilir Daja, një nga trajnerët më të njohur dhe më të suksesshëm të futbollit shqiptar, drejton Dinamon, ndërsa djali i tij, Glen Daja, ka marrë drejtimin e Elbasanit.
Është një histori që shkon përtej futbollit dhe rezultateve, pasi në qendër të saj qëndron marrëdhënia mes një babai dhe djalit, të cilët kanë zgjedhur të njëjtin profesion. Për një periudhë, ata kanë ndarë të njëjtën pankinë, duke punuar së bashku te Dinamo, ku Gleni ishte pjesë e stafit teknik të të atit. Tashmë situata ka ndryshur. Secili ka skuadrën e vet, përgjegjësitë dhe objektivat që duhet të përmbushë.
Kalimi i Glen Dajës nga roli i ndihmëstrajnerit në një skuadër ku duhet të jetë ai personi kryesor në drejtimin teknik përbën një hap të rëndësishëm në karrierën e tij. Tek Elbasani, ai do të ketë mundësinë të tregojë aftësitë dhe filozofinë e tij si trajner i parë, në një kampionat ku presioni i rezultateve është i vazhdueshëm.
Nga ana tjetër, Ilir Daja vazhdon punën te Dinamo, një skuadër me objektiva të rëndësishëm dhe me pretendime për të qenë mes ekipeve kryesore të kampionatit. Për të, ky sezon ka edhe një dimension të veçantë, pasi në garë do të jetë edhe djali i tij, tashmë në një rol krejtësisht të ndryshëm. Sigurisht, në fushë nuk do të ketë privilegje familjare.
Secili do të mbrojë interesat e klubit që përfaqëson dhe do të gjykohet nga rezultatet. Tani, kalendari i vendos përballë njëri-tjetrit dhe historia do të marrë edhe një tjetër dimension, me babanë dhe djalin në dy pankina kundërshtare.
MBIEMRI I NJËJTË, SFIDA TË NDRYSHME
Për Ilir Dajën, karriera e gjatë dhe rezultatet e arritura e kanë vendosur prej vitesh mes trajnerëve më të spikatur të futbollit shqiptar. Për Glenin, aventura tek Elbasani është një mundësi për të ndërtuar emrin e tij dhe për të treguar se mund të ecë me forcat e veta në këtë profesion. Në fund, kjo është edhe veçantia e historisë së tyre. Një baba që ka ndërtuar një karrierë të konsoliduar dhe një djalë që nis të krijojë identitetin e vet në të njëjtën fushë.
Dy skuadra, dy objektiva dhe një mbiemër që këtë sezon do të jetë i pranishëm në dy pankina të Kategorinë Superiore. Fundja, në Elbasan besojnë te triumfi, sepse mbiemri është i njëjtë. Dhe Gleni shpreson të tregojë se i ka marrë të gjitha të fshehtat e “profesorit”. Pastaj mbetet vetëm një pyetje: a do të bëhet realitet shprehja “bëmë baba të të ngjaj”…



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.