Transfertat problem, Elbasanin e mban në këmbë… “shtëpia”
Nga Vladimir Mema, Panorama Sport: Elbasani po tregon dy tablo të ndryshme në këtë sezon të Superiores. Në njërën anë, verdheblutë kanë ndërtuar një ecuri pozitive në ndeshjet e zhvilluara në shtëpi, ku ende nuk njohin humbje si pritës. Në anën tjetër, transfertat po rezultojnë pika më e dobët e skuadrës, e cila pas gjashtë ndeshjesh jashtë fushës së saj ende nuk ka arritur të marrë një fitore.
Bilanci është domethënës dhe tregon qartë se ku qëndron një prej problemeve kryesore të skuadrës elbasanase në këtë edicion. Në pesë ndeshjet si pritës, Elbasani ka regjistruar tri fitore dhe dy barazime, duke grumbulluar 11 pikë dhe duke krijuar një terren të sigurt në përballjet përpara tifozëve të tij.
Ndryshe paraqitet situata kur verdheblutë largohen nga Elbasani. Në gjashtë takimet e zhvilluara në transfertë, skuadra ka marrë vetëm tri barazime dhe ka pësuar tri humbje. Një bilanc që nuk përmban asnjë fitore dhe që e ka penguar ekipin të ketë një pozicion edhe më të mirë në klasifikim.
SHTËPIA –
Stadiumi i Elbasanit është kthyer në një pikë të fortë për skuadrën verdheblu. Tri fitore dhe dy barazime në pesë ndeshje tregojnë se ekipi ka ditur të shfrytëzojë faktorin fushë, duke qenë konkurrues dhe duke marrë rezultate pozitive përballë kundërshtarëve.
Kjo ecuri është një element inkurajues, sidomos në një sezon ku skuadra ka kaluar ndryshime të rëndësishme në organikë dhe nuk ka arritur ende të gjejë vazhdimësinë e dëshiruar. Përballë tifozëve të saj, Elbasani ka shfaqur më shumë siguri dhe ka ditur të menaxhojë më mirë ndeshjet.
TRANSFERTAT –
Nëse në shtëpi skuadra ka arritur të ndërtojë një identitet konkurrues, jashtë saj situata është krejt tjetër. Tri barazime dhe tri humbje në gjashtë takime janë një bilanc që kërkon përmirësim të menjëhershëm. Mungesa e fitoreve në transfertë është një tregues se Elbasani ende nuk po arrin të shfaqë të njëjtin nivel loje dhe besimi kur luan larg stadiumit të tij.
Në këto përballje, marrja e pikëve ka rezultuar më e vështirë, ndërsa skuadra nuk ka arritur të bëjë diferencën në momentet vendimtare. Pikërisht këtu qëndron edhe një prej sfidave kryesore për stafin teknik. Elbasani duhet të gjejë mënyrën për të qenë më efektiv jashtë fushe, të menaxhojë më mirë presionin e kundërshtarëve dhe të shfrytëzojë rastet që krijon. Nuk mjafton vetëm të jesh i fortë në shtëpi për të synuar një sezon të qëndrueshëm në Superiore.
Diferenca mes paraqitjeve në shtëpi dhe atyre në transfertë është një nga elementet që shpjegon edhe ecurinë e deritanishme të skuadrës. Me 11 pikë të marra si pritës dhe vetëm 3 pikë jashtë, Elbasani ka humbur mundësinë për të pasur një bilanc më të mirë në këtë fazë të kampionatit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.