Me përjashtime nga partia bëhen edhe filma…
Me thënë të drejtën, në çdo film, sidomos në thrillerat politikë, ka një skenë që përsëritet: njeriu që ka marrë pushtet nga Bosi, në një moment mendon se është bërë më i rëndësishëm se vetë Bosi. Dhe pikërisht aty fillon fundi i filmit.
Në skenarët e këtyre filmave, ai që ta jep pushtetin, ta merr edhe mbrapsht. Madje pa faturë!
Në sistemin tonë politik kjo është edhe më e thjeshtë. Pushtetin ta jep Bosi dhe po ai ta merr. Ideja se Bosi është në krye falë teje është, në vetvete, një mendim vetëpërjashtues.
Ja, edhe Elisa, edhe Erioni, në reagimet e tyre, na kujtojnë sa të rëndësishëm paskan qenë për Ramën në kohën kur Partia Socialiste nuk e qaste. Hahahahaha!
Fiks këtu e hanë të gjithë personazhet e këtyre filmave. Ngatërrojnë shërbimin ndaj pushtetit me pronësinë mbi pushtetin.
Fakti që i ke shërbyer Bosit deri në “erionizimin” apo “spiropalizimin” e politikës, nuk do të thotë se ai nuk bën dot pa ty. Madje, as po të luash rolin e Mamicës dhe të recitosh gjithë jetën vjersha për Skënderbeun, nuk bëhesh i domosdoshëm për heroin kryesor. Në fund të fundit, Skënderbeu e ka vetë kalin!
Në të vërtetë, përjashtimi i Elisës nga PS nuk duket se ka ndonjë lidhje me përplasjen e ideve politike. Ka lidhje me prishjen e marrëdhënies personale me atë që i dha pushtet, madje edhe kur partia nuk e kishte aq për zemër. Elisa zbuloi nevojën për kritikë politike pasi humbi postin e ministres. Deri atëherë demokracia e partisë dukej se funksiononte për mrekulli!
E njëjta logjikë vlen edhe për Erion Veliajn. Tezat e tij të reja politike duken më shumë të frymëzuara nga transferimi në burgun e Fierit sesa nga ndonjë zbulim i vonuar i demokracisë së brendshme në parti.Hahahahaha!
Po mirë, kujtoni pak kush guxonte ta sfidonte Erionin për kandidaturën e kryetarit të Bashkisë kur ai ishte në kulmin e promovimit nga Rama. Kush kërkonte garë, kush kërkonte demokraci, kush kërkonte votën e socialistëve kundër vullnetit të Bosit?! Atëherë Erioni nuk fliste si sot. As Elisa…
Askush nuk guxonte në fakt.
Atëherë, a mund të na prezantohet ditari i burgut si manifest i demokracisë së munguar? Apo letrat e hapura të Elisës ti marrim si enciklika të shenjta?!
Jo ore jo! E vërteta është se ajo që po ndodh në PS nuk është betejë për demokraci, por pakënaqësi personale me rënien nga fiku.
Nuk mund të jesh demokrat kur Bosi të jep pushtet dhe të zbulosh diktaturën ditën që ta merr, dreqi e mori. Nuk mund të quash demokraci emërimin tënd dhe autokraci shkarkimin tënd.
Kjo nuk është tezë politike. Është thjesht nostalgji për karrigen.
Kam bërë debat politik me Edi Ramën kur ishim në opozitë. Debat të vërtetë dhe të sinqertë. Nuk kishim pushtet për të ndarë, as poste për të humbur. Thjesht nuk ishim dakord me tezën e tij se ai ishte kali që tërhiqte karrocën, ndërsa partia ishte mjeti dhe jo qëllimi. Ai pa karrocën e vet dhe unë timen. Edhe në pushtet jemi përplasur për principe, vendime e vendimmarrje, jo për karrike.
E sjell në vemendje këtë gjë, jo për të treguar ndonjë trimëri, se në fakt nuk ka të tillë. Por për të bërë një dallim të madh ndërmjet debatit parimor dhe atij personal.
Sot, as Erioni dhe as Elisa nuk mund të paraqiten si kundërshtarët parimorë të Edi Ramës. Ata ishin ndër përfituesit më të mëdhenj të pushtetit të Tij. U ulën në karrocën e Ramës, shijuan udhëtimin dhe nuk u shqetësuan aspak se kush e mbante kapistrën.
Tani që kanë zbritur nga karroca, na shpjegojnë se kali nuk paska qenë demokrat!
Natyrisht, PS dhe Edi Rama kanë një lodhje të dukshme politike nga pushteti. Madje mendoj se një periudhë në opozitë do t’u bënte mirë.
Por të mos harrojmë një hollësi: këtë konsum politik nuk e prodhoi Rama i vetëm. E prodhuan si ekip. Me Erionin, Elisën dhe gjithë të tjerët brenda.
Erionizimi, spiropalizimi dhe deri te zeqinosja e politikës nuk janë alternativa ndaj modelit të Ramës. Janë produkte të atij modeli. Janë pjesë e konsumit të tij politik, jo ilaçi kundër tij.
Prandaj deklaratat kundër njëri-tjetrit nuk duhen ngatërruar me teza për ndryshim politik. Janë thjesht shprehje të pakënaqësisë personale të njerëzve që e kanë dashur shumë pushtetin dhe nuk e durojnë dot humbjen e tij.
Në fund, filmi është fare i thjeshtë: kur Bosi të jep pushtet, je demokrat. Kur Bosi ta merr, bëhesh disident.
Kulmi i ironisë është se ata që dje na shpjegonin pse Bosi ishte i pazëvendësueshëm, sot na shpjegojnë pse janë të pazëvendësueshëm vetë.
Po, me këto histori bëhen vërtet filma. Madje edhe komedi.
Vetëm se personazhet kryesore ende nuk e kanë kuptuar që nuk janë më në rol kryesor!



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.