Davutoglu: Sulmi kundër kurdëve një akt sabotazhi
Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu e përcaktoi sot si një akt sabotazhi dhe provokimi atentatin e djeshëm në Dijarbakir kundër një takimi elektoral të partisë kurde, HDP, vetëm 48 orë para zgjedhjeve parlamentare në vend, të konsideruara si tepër të rëndësishme për Turqinë.
”Kemi të bëjmë me një akt të pastër sabotazhi dhe provokimi”, deklaroi Davutoglu.
Katër persona u vranë dje në juglindje të Turqisë si pasojë e dy shpërthimeve, origjina e të cilave nuk dihet, gjatë një takimi zgjedhor të partisë kryesore kurde, HDP.
”Më shumë se 200 persona të tjerë u plagosën nga këto shpërthime”, tha ministri turk i Bujqësisë, Medhi Eder.
Këto shpërthime ndodhën në afërsi të një transformatori elektrik të vendosur në një shesh të qytetit, ku dhjetëra mijëra mbështetës të Partisë Demokratike të Popullit (HDP) ishin mbledhur për të dëgjuar kreun e tyre, Selahatin Demirtas.
Sipas dëshmitarëve, dëmet janë shkaktuar nga shpërthimi i dytë, shumë i fortë, i ndodhur 10 minuta pas të parit.