Debati për ekonominë, Ahmetaj: Opozita në panik, kemi 3.9% rritje
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj u është përgjigjur akuzave të opozitës e cila thotë se ekonomia shqiptare është në kolaps.
Fakti që opozita hedh baltë mbi ekonominë shqiptare, sipas ministrit Ahmetaj, lidhet me tre faktorë. “Së pari lidhet me hapjen e negociata dhe opozita po bën gjithçka për të nxirë realitetin shqiptar. E dyta ka të bëjë me problemet brenda partisë dhe së treti balta lidhet me panikun nga drejtësia”, deklaroi ministri Ahmetaj.
Kreu i financave publike vuri në dukje se sot ekonomia shqiptare rritet me 3.9%, nga 1% që zbriti në 2013.
“Ekonomia e vendit pritet të ndjekë një trajektore rritëse, të qëndrueshme për periudhën në vazhdim, duke konverguar gradualisht drejt potencialit të saj. Pra, kemi hyrë në një periudhë të përshpejtimit të rritjes ekonomike, konsolidimit të rritjes ekonomike dhe të kapjes së potencialeve ekonomike të sektorëve”, tha ministri.
Rritja, shpjegoi ministri, ka ardhur nga zhvillimi i sektorëve. Eksportet sipas kreut të financave publike, janë rritur me 12.1%.
Ministri iu përgjigj akuzave të opozitës sa i përket varfërisë, ndërsa apeloi opozitën tu referohej shifrave dhe të mos manipulonte ato për qëllime politike.
“Varfëria është një problem i madh për Shqipërinë e rajonin. Por, ajo nuk ka ardhur në rritje, përkundrazi po t’u referohemi raporteve të Bankës Botërore rezulton se në vitin 2012, varfëria në Shqipëria arriti kulmin”.
Sipas ministrit Ahmetaj, konsumi i popullatës është rritur mbi 3%.
Lidhur me akuzat e opozitës se sektori i ndërtimit është ‘lavatriçe’ e parave të drogës, ministri Ahmetaj tha se ndërtimi është financuar nga rritja e kredisë me 67% dhe se raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë thotë se huat e reja për pasuritë e paluajtshme janë rritur 8%.
Njëkohësisht ministri tha se punësimi në vend është me 38% në 4 vite.
“Janë gati mbi 200 mijë vende pune të krijuara për shkak të zhvillimit ekonomik dhe formalizimit njëkohësisht”, tha Ahmetaj.
Duke folur për bizneset në vend, ministri bëri të ditur se në vitin që lamë pas janë krijuar 14 mijë biznese të reja. Janë regjistruar 19 mijë biznese të reja dhe janë çregjistruar rreth 5 mijë. Biznese të reja të huaja janë rreth 1200 për vitin 2017″, theksoi ministri.
Ahmetaj komentoi edhe marrëveshjen me qeverinë gjermane për financimin e shkollave profesionale.
“Gjermania mbetet donatori i parë bilateral në të gjithë periudhën post komuniste”, tha ministri.