Deklaratat e Kos për Specialen, Çitaku: Është normale të mos pajtohemi gjithmonë me miqtë
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj kritikave të komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos, lidhur me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, siç njofton KosovaPress.
Çitaku u shpreh se është krejtësisht normale që Kosova të ketë herë pas here mospajtime edhe me partnerët e saj ndërkombëtarë, duke cituar: “Është normale ndonjëherë me miqtë të mos kemi pajtime”.
Ajo theksoi se institucionet e Kosovës duhet t’ia shpjegojnë Bashkimit Evropian qëllimin e ndryshimeve ligjore: “Është e rëndësishme ta sqarojmë me BE-në se çka ai ligj kërkon”.
Komentoi gjithashtu shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e cila, sipas raportimit të KosovaPress, tha se partia e saj i kishte shprehur me kohë rezervat për këtë ligj.
Deklaratat vijnë pasi komisionerja Marta Kos, para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, tha se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian dhe janë të papranueshme, sipas raportimit të Radios Evropa e Lirë.
Sipas saj, ndryshimi i rregullave gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore bie ndesh me standardet ndërkombëtare të sundimit të ligjit, ndërsa paralajmëroi se vendet që bëjnë hapa prapa në përmbushjen e standardeve evropiane rrezikojnë rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.