Kronika

Dekorimi, Petro Koçi: President ballist. Nishani: Urrejtje staliniste

Konflikti i vazhdueshëm Presidencë-Mazhorancë, ka gjetur si shkak për t’u rindezur sërish, dekorimin nga kreu i shtetit i 67 pjestareve të Ballit Kombëtar ekzekutuar në vitin 1943 nga partizanët në Lushnje.
Me një gjuhë të ashpër, Presidenca ka reaguar duke hedhur poshtë të gjitha sulmet dhe provokimit e adresuara, sipas saj, nga nostalgjikët enveristë të diktaturës më të egër dhe të urryer të pasluftës së Dytë Botërore në Evropë, Diktaturës Hoxhiste.
“Kujtimi dhe dekorimi i 67 nacionalistëve të ekzekutuar nga dora kriminale e një grupimi të bolshevikëve shqiptarë të orientuar nga të dërguarit jugosllavë, është një detyrim dhe përgjegjësi historike e Shqipërisë së sotme euro-atlantike”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Por duket se kreu i shtetit, nuk ka akuzuar historianët, por nominalisht Kabinetin Qeveritar. Edhe pse nuk ka përmendur emra, bëhet fjalë për Zv.Ministrin e Mbrojtjes Petro Koçi, i cili me anë të një statusi në Facebook ka komentuar dekretin e Nishanit.
“President ballist. Dekorimi i bashkëpunëtorëve të fashizmit thikë pas shpine dhe tradheti ndaj Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare!”, shkruan Koçi.
E këtij statusi, presidenca i ka kushtuar një paragraf të tërë: “Institucioni i Presidentit të Republikës e konsideron të papranueshme ringjalljen e urrejtjes staliniste, veçanërisht kur ajo vjen nga anëtar të Kabinetit Qeveritar të një vendi anëtar i NATO-s dhe kandidat për Bashkimin Evropian.”
Më tej, Presidenca liston një sërë krimesh të kryera nga regjimi komunist që nga vrasja e intelektualëve, klerikëve, arrestimet e internimet, duke bërë dhe një apel për klasën politike.
“Ky realitet shqetësues tregon se sa shumë është dëmtuar shoqëria shqiptare nga mos hetimi dhe mos dënimi i krimeve të komunizmit, si i vetmi vend ish-diktatorial  që nuk e ka kryer këtë proces”, vijon Presidenca.
Por pas reagimit të Presidencës, Petro Koci, po me anë të një postimi në Facebook, ka sqaruar qëndrimin e tij, duke sulmuar sërish Presidentin  Bujar Nishani.
“Rreshtimi i Presidentit në radhët politike të Ballit Kombëtar është një akt anti-nacionalist.  Kjo dëshmon që e djathta nuk po distancohet dot nga ish-bashkëpunëtorët e fashizmit, ndryshe nga e majta që është distancuar qartazi nga fajet dhe krimet e komunizmit. Të jesh kundër dekorimit të  bashkëpunëtorëve të pushtuesit nuk të bën komunist. Anti-ballistët nuk janë patjetër komunistë apo bolshevikë.  Ashtu si anti-komunistet nuk janë të gjithë ballist.  Presidentin ballist e kemi dhurate nga Sali Berisha”, shkruan Koçi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button