Deliu-Kodra: Papërgjegjësi e madhe kombëtare të shpërbëhet Kuvendi pa u votuar ligji për Specialen
Deputetja e PDK-së: Ligji për Specialen është pikënisje e një strategjie të përbashkët gjithëkombëtare
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka folur sonte për ligjin për Gjykatën Speciale, duke kritikuar mungesën e veprimeve konkrete në këtë drejtim, siç njofton Klan Kosova.
Sipas saj, shpërbërja e Kuvendit pa u votuar ky ligj do të ishte papërgjegjësi e madhe kombëtare: “Është papërgjegjësi e madhe kombëtare me e leju që me u shpërbë Parlamenti, pa u votu ligji. Kjo më shumë dhemb për mungesën e vetëdijes politike, kombëtare e shoqërore që e kanë disa politikanë”, ka deklaruar ajo.
Deliu-Kodra theksoi se ligji nuk i zgjidh të gjitha çështjet, por e konsideroi atë pikënisje të një qasjeje të përbashkët politike: “Nuk i rregullon ligji të gjitha, por është një pikënisje e një strategjie të përbashkët, gjithëkombëtare dhe kushdo që këtë punë e sheh të izoluar, është shumë e dhimbshme”, u shpreh ajo për Klan Kosovën.
Deklarata vjen në kohën kur PDK-ja po kërkon me ngulm që projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të sillet në Kuvend për votim, ndërsa partitë politike diskutojnë edhe për zgjedhjen e presidentit të ri, me afat kushtetues deri më 6 tetor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.